14 Shkurt, 2024 - 6:50 pm
Galeria FAB është gati për t’i hapur dyert artdashësve të cilët do të ndjekin ekspozitën e artistes së re Artemisa Çullhaj. Ekpozita është kuruar nga Najada Hamza dhe do të qëndrojë e hapur nga 15 shkurti deri më 27 shkurt, pranë Fakultetit të Arteve të Bukura.
Artemisa dhe “Gjilpëra” siç titullohet ekspozita, i kanë fillesat në atelierin e tekstilit. FAB shkruan në faqen e saj online se, premisa estetike dhe intelektuale e artistes, puna ndër vite bërë me pasion dhe vullnet të epërm, ndërtoi një profil artistik me fjalor dhe identitet personal krijues, bazuar në një shtresëzim historik e kulturor, të vjetër e të thellë sa jeta. Sipas galerisë, veprat tek “Gjilpëra” shfaqin lëndën në një format tejet elegant, ku dashuria dhe koha bëhën një, e zgjasin sa një përjetësi.
Dalja përtej formatit dhe mediumit të veprave të përzgjedhura, duke mbivendosur në telajo të buta prerë në format e trupit njerëzor pikturat e mjeshtrave të mëdhenj, është një akt bashkëkohor i cili shton një element të ri të ndërveprimit fizik me veprën e artit. Vepra që lënë dyert e muzeumeve për t’u veshur e marrë identitete të reja në lëvizje, imazhe të njohura që përtej pasarelave janë copëza arti që përcjellin mesazhin e vlerës së qëndrueshme./atsh/KultPlus.com