29 Nëntor, 2017 - 12:14 pm
Të premten më 1 dhjetor, nga ora 19:00, CHwB Kosova do të hap për herë të parë ekspozitën e veçantë, në kuadër të projektit Heritage Space.
Projekti Heritage Space ka filluar që nga viti 2016, dhe përgjatë këtyre dy viteve kjo platformë ka përkrahur tetëmbëdhjetë njerëz kreativ nga fusha të ndryshme, të cilët kanë përdorur trashëgiminë kulturore si burim inspirimi, për t’i realizuar idetë e tyre.
Punët janë krijuar përmes përdorimit të mediumeve të ndryshme të teknologjisë, modës, muzikës, tregimeve, videos dhe revitalizimit. Ky gërshetim ka bërë që trashëgimia kulturore të kapërcejë kufijtë e kohës për tu ri-zbuluar, promovuar dhe ri-jetësuar. Heritage Space është krijuar me qëllim të ofrimit të një perspektive të re mbi kuptimin e trashëgimisë kulturore, si diçka e gjallë, dinamike dhe si diçka që ka ndikim dhe mund të ndikohet. Të ndikohet në atë mënyrë që të kontribuojë në zhvillimin social, kulturor dhe ekonomik të Kosovës.
Disa nga punët e krijuara përgjatë kësaj periudhe, do të ekspozohen në ekspozitën “Heritage Space: Aty ku e kaluara takon bashkëkohoren”, në të cilën do të ofrohet mundësia për të përjetuar fuqinë e trashëgimisë kulturore si element frymëzimi, dhe do të dëshmohet momenti kur e kaluara takon bashkëkohoren. Ekspozita do të mbahet në katin e parë dhe të dytë të Muzeut Kombëtar të Kosovës, më datën 01.12.2017, në ora 19:00, dhe do qëndrojë e hapur dy ditë./ KultPlus.com