19 Shkurt, 2018 - 3:17 pm
Në prag të 27 vjetorit të rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës, që shënon simbolikisht rënien e diktaturës në Shqipëri, hapet në Tiranë ekspozita “Komunizmi në epokën e tij”, shkruan KultPlus.
Ekspozita do të hapet sonte duke filluar nga ora 18:00 në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Autori i ekspozitës është historiani gjerman, Gerd Koenen. Kjo ekspozitë është përgatitur nga Fondacioni Federal për Studimin e Diktaturës në Gjermaninë Lindore dhe prezantohet për herë të parë në Shqipëri në bashkëpunim me Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC).
Ekspozita “Komunizmi në epokën e tij” jep mundësinë për të njohur zhvillimin dhe përhapjen e komunizmit në botë, si dhe synon të nxisë reflektimin dhe përballjen e shoqërisë shqiptare me të kaluarën e saj. Ngritja dhe rënia e luminizmit në shekullin XX, vjen si nevojë për t kuptuar se historia që Shqipëria përjetoi për rreth 45 vite nuk ishte dhe aq e ndryshme nga ato që përjetuan vendet e tjera te bllokut komunist.
Ekspozita përfshin 25 postera, me mbi 200 foto historike, dokumente dhe “kode QR” të lidhura me materiale filmike në internet. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 28 shkurt.
Prezantimi i ekspozitës do të jetë në dispozicion nga muaji mars 2018 si një set i posterave në formatin DIN A1 dhe mund të porositet në [email protected].
Më 20 shkurt të viti 1991 u rrëzua dhe u kthye shtatorja e Enver Hoxhës, ky gjest popullor shembi përfundimisht heshtjen përballë përndjekjes shtetërore dhe nxiti përshpejtimin e ndryshimit të sistemit./ KultPlus.com