26 Korrik, 2017 - 9:11 am
Ekspozitë e kuruar nga Luçjan Bedeni, sjell manipulimet që janë bërë në artin e fotografisë historia e komunizmit është dhe në foto.
Në qindra negativë që i nënshtroheshin procesit laboratorik ka pasur ndërhyrje për të hequr prej tyre, ata që konsideroheshin si “armiqtë e popullit”, apo “të ndaluarit”. Drejtori i Muzeut Marubi në Shkodër, ka studiuar këtë proces të rëndësishëm që shoqëroi artet shqiptare përgjatë gjysmë shekulli në diktaturë, për të sjellë elemente që e bëjnë më të plotë këtë kronikë të kohës. “Manipulim” quhet ekspozita që do të hapet më 3 gusht 2017, ora 19:45 në Muzeun Marubi në Shkodër. Shpikja e fotografisë nga Nicéphore Niépce më 1825 përmes procesit të heliografisë hapi kështu “garën” për perfeksionimin e mëtejshëm të saj. Jo larg kësaj shpikjeje, do të fillonin edhe praktikat e para të manipulimit.
Që herët fotografitë do të manipuloheshin duke përdorur metoda e teknika të ndryshme. Ndërhyrja direkt në shtyp, retushimi me bojë, gërvishtja e imazhit, ndriçimi artificial në dhomën e errët apo ndërhyrja në negativ, kanë luajtur një rol të rëndësishëm se si ne e kemi interpretuar apo gjykuar një fotografi, duke bërë më të rëndësishëm faktin e kryerjes së procesit të manipulimit. Historikisht fotografitë janë manipuluar për të mashtruar, për t’ia mbushur mendjen shikuesve, për të sajuar të vërtetën e historisë apo krijuar “idhuj” të rremë. Pikëpamja artistike, satira, humori, fotografitë e “fantazmave”, fotografitë “magjepsëse”, propaganda politike dhe shtimi i portreteve të anëtarëve të familjeve apo grupeve ishin të gjitha praktika të filluara në fund të viteve 1800”, thotë Bedeni. Në vitin 2013 disa negativë të panjohur më parë u zbuluan nga koleksioni i Marubëve. Fotografitë na dëshmojnë një histori të hershme të manipulimit të imazheve që në fillim të viteve 1860 në Shqipëri.
Fotografia e Pietro Marubbit e vitit 1860, “Dr. Gennaro Simini”, e cila na tregon Doktor Siminin tek pozon njëherë si klient, njëherë si pacient e më pas si doktor, na bën të mendojmë që ky imazh mund të ketë shërbyer edhe si reklamë e kohës. Fotografia e portretit të Pietros vendosur në një trup më të vogël se koka dhe e vendosur në një filxhan si dhe portretet e Kel Marubit me të motrën, manipuluar mbi trupat e dy luftëtarëve ekzotik afrikanë, janë shembuj të tjerë të gjurmëve të para të zhvillimit të këtyre teknikave.
Eksperimentimit me manipulimin e fotografive nuk i qëndruan pas as gjeneratat e tjera të Marubëve, Keli e Gega. Imazhet e martesës së Mbretit Zog I me Mbretëreshën Geraldinë që u realizuan më 1938 nga Keli iu nënshtruan gjithashtu proçesit të retushit me qëllim publikimin e tyre në revistat e kohës. Njëlloj si Henri de Toulouse-Lautrec tek fotografia (1892) ku pozon si artist e si model, edhe Gega na shfaqet duke pozuar brenda një fotografie në pozicione të ndryshme, në rolin e një bashkëbiseduesi me vetveten. Dy fotografitë e vitit 1927 dhe 1940 të Kelit e Gegës që paraqesin At’ Anton Kirin tek fle mbështetur herë mbi karrige e herë mbi trungje drurësh, me “fantazmën” që i rri pranë duke luajtur violinë, na tregojnë një tjetër anë të panjohur deri më tani të mjeshtërisë teknike të Marubëve, shkruan GSH.
“Një ndër qëllimet e retushimit ishte edhe eliminimi i “armiqve të popullit” nga fotografitë. Këtë praktikë e gjejmë edhe në vendet e tjera të bllokut lindor, si në rastin e Shqipërisë gjatë diktaturës komuniste (1944 – 1991). Me fillimin e shtetëzimeve u krijuan Repartet Fotografike (1952) të cilat fillimisht ishin pjesë e Kooperativave e më pas të Ndërmarrjeve të Riparim-Shërbimeve. Fotografët të cilët deri asokohe kishin punuar në studiot e tyre private, qenë të detyruar t’i dorëzonin koleksionet fotografike dhe të punonin për shtetin.
Pjesë e këtyre Reparteve u bënë vetë fotografët, teknikët e laboratorit, por edhe anëtarët e Sigurimit të Shtetit të cilët kishin për qëllim survejimin e procesit. Kjo “makineri” propagande bëri që as fotografitë e Marubëve të mos i shpëtonin dot teknikës së retushimit me qëllim censurën ose propagandën politike që ishte përhapur masivisht. Albumi me fotografi “Gjurmë të historisë kombëtare në Fototekën e Shkodrës” (1982), hapet me njërën prej fotografive më spektakolare të manipulimit gjatë regjimit komunist. Personalitetet që kishin dalë në ballkonin e Bashkisë së Shkodrës për të mbajtur fjalimet përshëndetëse me rastin e ceremonisë së rivarrimit të eshtrave të patriotëve Çerçiz Topulli e Mustafa Qulli më 1936, ishin fshirë të gjithë duke na shfaqur vetëm diktatorin shqiptar Enver Hoxha tek mbante një fjalim”, thotë Bedeni.
Pjesë e këtij botimi janë edhe një sërë fotografish të tjera ku spikasin si më të famshmet fotografitë e Kel Marubi-t të deputetëve të Shkodrës Gurakuqi, Fishta e Mjeda e vitit 1923, ku nga fotografia është fshirë poeti kombëtar At Gjergj Fishta. Kjo ekspozitë tenton të nxjerrë në pah për herë të parë, fotografitë e manipuluara si para ashtu edhe gjatë regjimit komunist, e për t’i ballafaquar ato me të vërtetën që dëshmojnë negativët origjinalë të paprekur./ KultPlus.com