2 Dhjetor, 2023 - 6:02 pm
Në kuadër të fushatës ndërkombëtare “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”, ekspozita “Motrat tona” shpërfaq një vepër feministe, konceptuale video arti, në të cilën motërzohet kryevepra e pikturës shqiptare “Motra Tone” e piktorit Kolë Idromeno.
Ekspozita “Motrat tona” është një aktivizëm artistik, kundër dhunës ndaj gruas shqiptare, në të gjitha format e ushtrimit të saj. Ekspozita “Motra tona” paraqitet përmes pesë video-instalimesh dhe dy instalacionesh pasqyruese, të shoqëruara nga një performancë ekzekutuese në ditën e hapjes.
“Motrat tona” është një motërzim i “Motrës Tone”, sa në imazh dhe figurë, aq më shumë si një transfigurim i tragjizmit të vajzës dhe gruas shqiptare, viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së vitit 1999 dhe e dhunës mbi bazë gjinore në vitet pasuese.
“Motrat tona” rikonceptualizon ikonën e “Motrës Tone” dhe e rikontekstualizon në aktualitetin e përditshmërisë së “Motrave tona”, që janë viktima të dhunës mbi bazë gjinore. “Motrat tona” rikonceptualizon ikonën e “Motrës Tone” dhe e rikontekstualizon në aktualitetin e përditshmërisë së “Motrave tona”, vajzave dhe grave që janë viktima të dhunës mbi bazë gjinore.
Figura e “Motres Tone” është marrë si imazh ikonik i vajzës dhe gruas shqiptare, e ngjallur në dukjen e artistes feministe Ms. Indefinite e cila duke u trupëzuar nën petkun e “Motrës Tone” ka përmbledhur në instalacionet dhe performancën e saj, imazhe, gjeste dhe lojë me ngarkesa kuptimore denoncuese ndaj dhunës mbi bazë gjinore.
Gërsheti i ekspozitës, gërshetohet në një performancë kriticizmi dhe aktivizmi në trajtat e dhunës mbi bazë gjinore, nga varrët që kullojnë gjak deri te kufoma që kthehet në skelet. /KultPlus.com