3 Maj, 2019 - 6:41 pm
Më 13 maj
bëhet hapja e ekspozitës “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë” kuruar
nga Blerta Hoçia, në kujtim të 1133 fëmijëve të vrarë si pasojë e
luftës në Kosovë 1998-2000 , shkruan KultPlus.
1024 fëmijë të
vrarë dhe 109 fëmijë të zhdukur.
Na ishte njëherë
është fillimi i natyrshëm i çdo përralle. Në këtë rast, është fillimi i
rrëfimit të luftës. Nën shikimin naiv të fëmijëve na çelet një botë që nuk
duhet t’i përkasë reales, ashtu si përralla.
Një dhomë xhami
brenda hapësirës përmban të gjithë peshën e objekteve.
Për të na kujtuar
që kjo ekspozitë të shihet nga këndvështrimi i fëmijëve, këto objekte qëndrojnë
pezull si në përrallë, si të përgjumura brenda kutisë së xhamtë. Një përgjumje
në dukje e këtyre objekteve të lëna në errësirën e pandërgjegjies që e zgjon
kujtesën personale dhe kolektive nga nevoja për të harruar vazhdimisht. Këto
objekte dhe veshje këtu brenda rreshtin së qeni objekte dhe veshje. Ato
shndërrohen në rrëfime personale që përcjellin praninë e vetë fëmijëve. Një
prani kjo e një dimensioni tjetër, përzier me plumba dhe përralla e që kriset
befshëm ashtu si xhami që i përmban duke bartur mbi vete të gjithë simbolikën e
tij.
Kjo ekspozitë vjen
si një ftesë për përballje dhe për reflektim, për dialog dhe shërim, duke nisur
ndërtimin e një kujtese kolektive me anë të këtyre sendeve dhe të tjerave që do
të shtohen në të ardhmen.
Objektet, që iu
përkisnin fëmijëve, na kujtojnë përditshmërinë, jetën monotone, gjërat e vogla
të çmuara që nuk i vëmë re gjithmonë. Disa prej tyre na rrëfejnë për një lojë
që e heshtur vazhdon akoma.
Ndoshta një lojë që
e shoqëroi bashkëjetesën me luftën dhe vazhdon të reflektohet te të gjitha
sendet e mbetura që përcjell shikimin e butë të fëmijëve i cili shëron dhe
çliron rreze shprese duke e bërë kujtimin e tyre të përjetshëm.
Më shumë se sa një
ekspozitë, ky është një memorial dedikuar fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur në
luftë. Pse bëhen memorialët dhe pse ruhen rrënojat e pasojave të shkeljeve të
rënda të të drejtave të njeriut?
Nuk janë vetëm për
t’i kujtuar dhe nderuar viktimat dhe të mbijetuarit, por edhe për të kërkuar të
vërtetën. Në kërkimin e kësaj të vërtete është plotësisht i angazhuar
edhe Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë dhe për krijimin e këtij memoriali
është folur me prindërit e familjarët e viktimave dhe kjo ekspozitë shpreh
dëshirën e tyre për t’i kujtuar ata me gjësendet e vetme të mbetura të një
fëmijërie të ndërprerë.
Fondi për të
Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) që nga viti 1997 merret me dokumentimin e
viktimave të krimeve të luftës dhe shkeljeve tjera të rënda të të drejtave të
njeriut. Të gjitha aktivitetet e FDHK janë në fushën e Drejtësisë Tranzicionale
dhe kontribuojnë në arritjen e drejtësisë për viktimat, në vendosjen e
narracionit të saktë mbi luftën, përkrahjen e viktimave në realizimin e të
drejtës së tyre në reparacione dhe në edukimin e të rinjve mbi Drejtësinë Tranzicionale.
Së fundi, FDHK kontribuon edhe në memorializimin e viktimave të luftës.
Ekspozita
realizohet nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë dhe mbështetët nga
National Endowment for Democracy (NED), Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës,
Rinisë dhe Sportit.
Hapja e ekspozitës: E hënë, 13 maj 2019, në ora 18:00 në Documentation Center Kosovo./ KultPlus.com
https://www.facebook.com/events/1077841649082209/