14 Dhjetor, 2017 - 7:17 pm
Edicioni i 23-të i Ekspozitës Ndërkombëtare “Onufri”, do të hapet më 20 dhjetor në Galerinë Kombëtare të Arteve.
Kuruar nga Gaetano Centrone, ekspozita titullohet “AU FIL DU TEMPS – Kujtesë kolektive, kujtime personale”.
Ekspozita ofron një itinerar ekspozues që zhvillohet në dhomat dhe ambjentet e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Janë dhjetë artistë pjesëmarrës, që vijnë nga gjashtë vende; të gjithë të lindur në vitet ’70 dhe ’80 dhe me një cv të pasur ndërkombëtare: Zeni Ballazhi, Adi Haxhiaj, Koja, Perino & Vele, Leonard Qylafi, Calixto Ramírez, Jelena Tomasevic, Vangjush Vellahu, Alketa Xhafa Mripa, Fani Zguro.
Kuratori Centrone përpiqet, me aq sa është e mundur, për të gjetur një emërues të përbashkët që bashkon përvojën e shumicës mes artistëve shqiptarë, sepse filloi prej tyre në këtë hulumtim që dëshiron të jetë aktual dhe ndërkombëtar. Pas shumë studimesh ai doli në konkluzionin se Historia mbizotëron në punën e tyre. Por kuratori nuk ka qëllim të ndërtojë një ekspozitë politike (kjo nuk është në planet e tij) duke qenë se ka një dallim të madh mes elementit kulturor dhe atij socio-politik.
Në këtë pikë faktori kohë bëhet një element qendror. Mënyra se si koha gërryen në kokat tona dhe çfarë mbetet e konsiderohet ex post. Dallimi midis kujtesës kolektive dhe kujtesës personale është shumë i paqartë, më shumë se sa mund të mendohet. Dhe po ashtu dallimi mes njëjësit dhe shumësit është më kompleks se sa mund të mendohet. Ekziston një apo shumë kujtime kolektive? Dhe kush i formon ato? Dhe sa kujtime personale preken nga ngjarjet e historisë?
Është e panevojshme të mohohet se në këtë pjesë të botës ngjarjet historike kanë hyrë shumë në jetën e popujve. Për zgjedhjen e titullit ne kërkuam një shprehje të mrekullueshme të gjuhës frënge: au fil du temps. Në italisht, për shembull, mund të përkthehet me kalimin e kohës, por fjalë për fjalë ka bukurinë e saj në versionin origjinal: në fije të kohës. Një fije që ngjit Historinë me histori personale, duke shtyrë nga lart me zërat e ndryshëm polifonikë të një tregimi. Aktualiteti i së tashmes, historia në sfond. / KultPlus.com