Ekspozita “PA LIMIT” me shtrirje filozofike brenda një gjeografie të caktuar

25 Maj, 2022 - 2:45 pm

Naser Shatrolli

“PA LIMIT” Ekspozitë Galeria e Fakultetit të Arteve të Kosovës 17. maj, 2022, Prishtinë

Ekspozitë artistike, instalacion konceptual, e kuruar nga Ismet Jonuzi, skulptor dhe pedagog në Fakultetin e Arteve të Kosovës, me pjesëmarrjen e Adem Rusinovcit – skulptor dhe pedagog, të Mehmet Behlulit, piktor dhe pedagog dhe të Driton Selmanit, piktor!

Paraqitja artistike nga pikëpëmja estetike ishte brenda logjikës së teatrit performativ – Ideja ishte sendërtuar mbi rekuizita reale që nxirrej në qendrën e mediumit skenik bota irreale në relacion me tematikën, e trajtuar nëpërmes figurës, si metafor dhe simbol i një teatri absurd.

Ekspozita kishte shtrirje filozofike brenda një gjeografie të caktuar, ndërsa ndriçimi filmik ishte zgjedhje adekuate për formatin.

Artistët duke përdorur imagjinatën e tyre riprodhonin përfytyrime – relikte kujtese mbi të kaluarën tonë të hidhur, që risemantoheshin figurshëm me disa objekte të caktuara, të cilat, për rrethana të reja, evokonin emocione në relacion me monedhat evropiane që ndërlidheshin me baterinë e ekzistencës sonë dhe me tabelën e fatumit shekullor që ka qenë dhe mbetet sinonim i fjalës ”kismet” – madje ky sllogan ngelet sinonim shekullor.

Armët, lulet e vyshkura, karriget e kalbura, bunari i mbuluar me gjethet e monedhës evropiane, kova e kuqe e kthyer mbrapsht, tabela e rrëzuar, janë rekuizita, me të cilat loznin bukur kreatorët e shfaqjes pamore – formë artistike e trasuar mes sikurit të dokumentarit si fenomen dhe sikurit të shprehjes si formë artistike!

Adem Rusinovci -Pedagog – Skulptor

Adem Rusinovci, kishte zgjedhur bunarin dhe monedhat evropiane që e lidhin trungun evropian me bunarin e një forme të re aplikative. Gjetja e Rusinovcit ishte qe atraksion estetiko-filozofik, e cila, në vetvete trumpetonte ngushtimin e universit të manovrimit të mendjes së njeriut.

Nëpërmes këtij modeli shprehës, Rusinovci piketonte në thelbin e problemit dhe në adresën e synimeve të njeriut bashkëkohor: Por cili është synimi i popujve me bunare të shterruara – kjo është pyetje më tepër retorike..!? Pra, konteksti ideor i kësaj drame artistike, e shprehur në frymën e formatit pamor – dikush e quan instalacion pamor, të tjerë i’a vënë një emër tjetër, ndërsa, për mendimin tim, kjo mënyrë e shfaqjes, ishte format i filmit pa zë – krijohej imazhi i celuloidit gjersa me qindra e mjëra monedha evropiane (1 euro) – punë dore, qëndronin në ajër, si formë e re e oxygenit të njeriut bashkëkohor, të cilat krijonin dinamika dhe tërheqnin zvarrë syrin e lakmisë gjersa fluturonin mbi kokat e publikut. Pra, ishte një formë artistike që dukej bukur qoftë nga aspekti estetik qoftë ideor. Në syzheun ideoestetik dhe në përcepcionin operativ, ecuria fabulare ishte në harmoni mes autorësh. Mjetet e tyre shprehëse qëndronin në relacion me temën. Lulet, armët, karriga, tabela orientuese, secila prej tyre, kundronte brenda pentagramit harkor-ideor, madje sintetizohej mirë dhe në kuptimin estetik. Monedha ka një shumësi dimensionale në zbërthimin e saj. Qëllimi i autorit është provokimi i intuitës publike. Monedhën fundja e zotëron universin e bunarit ndërsa kova e kuqe dhe dërrasa e bardhë, ngelen brend simbolik – ndaras prej të gjithave. Në vetevete, Rusinovci është krijues, mIshëron idetë e tij mirë dhe në vend të duhur i vendos, ndërsa detajet e bëjnë unike tërësinë e veprës. Bunari këtë rast ishte mirë i motivuar, fakti që përkonte dhe me diktaturën, me izolimin e mendimit, me etjet për dije, për shkencë, për art të mirëfilltë, për humanizmin, në të kundërtën e saj, kutia e bunarit, kishte perspektivën e një bunkeri – bunkerizim i mendimit të lirë, sikundër që, shtrihej dhe dimensioni i një varreze masive të luftës së fundit të ish Jugosllavisë, fakti që, janë gjetur një mori kufomash brenda tyre. Ka dhe dimensionin e pasurisë nëntokësore, për të cilën janë zhvilluar luftërat rajonale….!

Mehmet Behluli – Pedagog, Piktor!

Mehmet Behluli, kishte zgjedhur lulet dhe karriget e vjetra si mbetje të njollave të një epoke tjetër, aty këtu ndonjë copë a fletë libri, e kapur për karriges, që koincidonte ndjeshëm me fatumin e popujve të vyshkur. ndërsa, në kalendarin kronologjik këto rekuizita fragmentonin të ftohtin e egër, të cilat, kanë derivuar thatësi – tharje të bimëve familjare pa të cilat stagnon kuptimi për jetën. Lulet e vyshkura përqonin ndjesi për gruan, për vyshkjen e fetusit femëror – sikundër dhe për perspektivën e njeriut të ri, madje, ato ishin të lidhura ngushtë me bunarin e perspektivës evropiane, dhe me armët skulpturale të që kanë prodhuar tropikalizëm Afrikan në trendin ballkanik ndërsa si mjet shprese ngelej tabela orientuese me sllogani shekullor ”Kismet” të autorit Driton Selmani.

Në kuadër të kësaj platforme ideore-konceptuale fshehej magjia artistike dhe botëkuptimi ideo-filozofik. Behluli kishte përdorur arsyeshëm dhe argumentueshëm element të pikturës si dimension më vete, mbi të cilën pa u diktuar, kishte sendërtuar idenë e luleve dhe njollave të kuqe mbi pëlhurën – lëkurën tonë, madje, tendenca kapërcente kufinjtë e gjetjeve unike, duke i futur në proces pune disa gjëra me element tërësisht rutinor si: qesja e najllonit, si ndotës i ambientit në një rrethanë tjetër, ndërsa, këtu e përplotësonte mozaikun e kuptimit ideor!

Pra, Behluli, gërsheton arsyeshëm dhe bindshëm pikturën me zooparkun e luleve. Kambana e mesazhevë ishte sa humane po kaq dhe politike. Në karrige duhet dominoj arsyeja, ndjeshmëria e nderit. Paraqitja artistike ishte kuruar mençur dhe magjishëm, ngase, parafabrikohej kopshti familjar i familjeve të djegura, të vrara, të zhdukura, të dhunuara, në të cilat përvec vyshkjes, në ndonjëren nga vazot kishte dhe dromaca jete – ndonjëra mes luleve i kishte mbijetuar thatësisë, kjo qe gjë e mirë për optimistët, madje, në këtë format kërkimor artistik, Behluli ka gjetur tabelën e identifikimit të tij në paraqitjet artistike.

Ismet Jonuzi – Pedagog, Skulptor!

Nëpërmes armëve të luftës, sendërton themelet e shtëpive të shoqërive të dala nga lufta, dhe të atyre që duan të tregtojnë zemrat e njerëzve të frustruar, duke ua rikonfiguruar jetën mbi rrënojat e mjeteve të luftës.

Nga perspektiva vizuele, zemra e hekurt, e punuar me copa armësh, është shprehje adekuate e Jonuzit, në relacion me luhatjet e mëdha që kanë ndodhur në hartën e rajonit ballkanik sidomos. Por jo vetëm territori rajonal – armët nuk përkufizohen me territore e vende. Punimet e tij dukeshin bukur edhe si skulptura, si gjetje sidomos, për më tepër peshonin nuk kuptimin ideor, sikundër që, në aspektin fizik, rezultonin në format skenografie të një teatri filozofik.

Si motiv bazë, zemra e salduar nga tytat e armëve, godet në zemrat e njerëzve që ushqejnë mendjet e tyre me krisma kundrejt dinjitetit njerëzor, (shih njollat e kuqe në pikturën e Behlulit apo në kovën e Rusinovcit, ose drandofilin e kuq të autorit në fjalë). Pra, dimensioni skulpturor i Ismet Jonuzit, futet në rrafshin e retorikës politike dhe të mendësisë së tryezës së luftës, përmes së cilave, të fortit, ndërtojnë kauzat e tyre, duke ngritur deri në kulmin e marrëzisë muret e shtëpisë, si një parafabrikim i logjikës diktatoriale.

Pra, segmenti i këtij krijuesi ndërlidhet me diktaturën e popujve të egër, megjithëse, ambientin e kishte krijuar sikur çdo gjë është në funksion të jetës, marrë parasysh, tryezën, lulet e kuqe mbi tryezë, pastaj shtëpinë e fildishtë përbri dhe lapidarin e zemrës së njerëzve me zemër të çelikosur. Pra, fenonomenin hekur – apo kallashnikov, që bazën e prodhimit e ka në Rusi, artisti e formulon në një rrafsh artistik, me të cilin, përveç mesazheve të çarta ndaj forcës së tytës, përçon dhe idetë e tij estetike, me të cilat krijon universin artistik, duke i përdorur armët për të sendërtuar botëkuptimet e tij për artin. Pra, armën e paralizon me forcën e saldimit ne vepër arti. Dimensionet kërkimore të skulptorit Jonuzaj dekodojnë kode dhe limite në relacion me misionin dhe qëllimin e daltës së tij.

Driton Selmani – Piktor Ishte brenda këtij brendi artistik, nisur nga moduli i përshtatjes me akterët kryesor të kësaj ekspozite, duke i zbërthyer limitet e kohës së tij me limitet e njerëzimit, nëpërmes një tabele rrugore me ngjyra ta flamurit të Ukrainës, e cila e kishte dimensionin e orientimit të njeriut bashkëkohor. Pra, ekspozita tërthorazi prek dhe në dimensionin human. Tabela ishte nxjerrë dhunshëm ose është goditur me mjete të forta, që dëfton kaosin e organizimit urban, ndërkaq, mbështetja e saj në mur pa ndonjë bazament, tregon ekzistencën tonë pa një bazë qëndrueshmërie për synimet tona. Ndërsa, brenda saj, kishte sistemuar limitet e fundit të baterisë, orën, dhe slloganin ”KISMET” me të cilat paraskicon madje dhe mesazhe të caktuara në varësi të të limitit të baterisë – përkthyer në gjuhën artistike beteria ndërlidhej me zemrën moderne që funksionon me gjakun teknologjik. Performanca e tij ndërlidhej me reflektimin ”merre ose lëre”. Vrapo pas ”kismetit” tënd ose dorëzohu para kësaj logjike tabelare. Megjithëse, shpresa për një qetësi meditative ngelej brenda bunarit të dëshirës.

Si slogani ideoestetik, shpërfaq meteorët e mendimit mbi rezultatin dhe sanksionimin e mendjes së njeriut që truri i tij, shikimi, dëshirat, ambicjet, intuita ishin të kurdisura brenda kësaj logjike, pa e përjashtuar dhe ironinë që kishte brenda modulit botëkuptimor.

LIDHJET IDEORE

Bunari në hyrje të galerisë, monedhat si ambrellë dhe metafor që lidhej me tavanin qiellor, për të cilin ëndërron truri njerëzor. Pastaj, simbolika e parasë në relacion me kohën dhe me universin e qëllimit, unifikimi i Evropës brenda një monedhe si standard i pakapërcyer monetar në mes tokës dhe qiellit, ku do të parashtrohej në formë të kërkesës për ne siç është ajri nevojë jona për të qenë pjesë e Evropës së unifikuar. Pastaj dimensioni korruptiv që kontekstualizohej me thellësitë e bunarit dhe të mendjes së njeriut, dhe monedha si iluzion varshmërie, të cilën e krijuan evropianët, e cila ngelet peng tabelar – për të ardhmen e këtij rajoni specifikisht. Enigma vazhdon të qëndroj brenda bunarit, madje, enigma mbetet magnum shpirtëror me të cilin do të përballemi më tej, ndërsa, monedha evropiane do të derivoj një shumësi pyetjesh? Cila prej tyre e shuan etjen – monedha apo bunari? Kush është më afër qiellit bunari apo monedha!? Të gjitha këto detaje, janë pasazhe retorike me të cilët krijohet skeleti kritik mbi këtë ekspozitë konceptuale, formë kjo, me të cilën, artistët kanë krijuar botëkuptimin e tyre artistik, brenda logjikës së tendencës kërkimore në stil, zhanër, në gjetje hapësinore, gjithnjë, duke i kursyer maksimalisht ngjyrat dhe furçën e piktorëve klasik. Ekspozita në vetvete ka dhe dimensionin e ehos, fshehej edhe gjuha poetike në strumbulloin e saj, madje, fshehej dhe bukuria përrallore e kinemasë, dritë-hijet shpërfaqnin monedhaët e mendimit publik të publikut. (Autori merret me kritikë përveç dimensionit teatror)./ KultPlus.com

Të ngjajshme