2 Korrik, 2018 - 5:02 pm
Gili Hoxhaj
Sot është bërë hapja e Festivalit të Arkitekturës në Kosovë që cilësohet si eventi më i madh i arkitekturës në vend. Në kuadër të hapjes së këtij festivali është bërë edhe hapja e ekspozitës mbi konservimin e Bibliotekës Kombëtare, shkruan KultPlus.
Përgjatë dy javëve të para të korrikut në Prishtinë do të mbahen 12 ligjërata, 6 punëtori, 5 shfaqje të filmave, 1 ekspozitë, 2 promovime të librave, 1 debat dhe 1 sallon i librit, të gjitha këto në kuadër të Festivalit të Arkitekturës në Kosovë që këtë vit vjen me temën “Witten Architecture” – “Arkitektura e Shkruar”. Ky festival i cili do të zgjat tre muaj do të vazhdoj rrjedhën e tij edhe përgjatë muajit gusht dhe shtator me 2 ekspozita të tjera, 2 punëtori dhe 3 ligjërata.
Sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës erdhi ekspozita e cila përfshinte rreth dhjetë punime e për planin e konservimit për menaxhimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani, të hartuar nga Fondacioni Kosovar të Arkitekturës (KAF), ndërsa i mbështetur nga fondacioni prestigjioz amerikan “Getty Foundation”.
Ndërtesa e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës njihet për historinë e saj unike ndërsa stili i ndërtesës është i dizajnuar nga arkitekti kroat Andrija Mutnjakovi. Në këtë ekspozitë vijnë edhe disa fotografi të arkitektit Mutnjakovic menjëherë pas përfundimit të bibliotekës dhe pak më larg vizitorët mund të shihnin dhe një dokumentar që paraqet një intervistë të realizuar me arkitektin Mutnjakovic, po ashtu në një skaj të hollit të Bibliotekës është i vendosur edhe dokumentari tjetër 20-minutësh përfshin procesin e punës në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.
Drejtori i Festivalit, Bekim Ramku falënderoi stafin e Bibliotekës Kombëtare për mbështetjen dhe gjithë ata që kanë ndihmuar në realizimin e planit për konservimin dhe menaxhimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.
“Kemi qenë shumë me fat që e kemi fituar grantin e Getty Foundation që është më prestigjiozi që jep fonte për arkitekturën moderne. Një pjesë e madhe e fotografive janë të bërë nga arkitekti i njohur Mutnjakovic menjëherë pas përfundimit të bibliotekës dhe disa vizatime nga Fondacioni Kosovar i Arkitekturës”, u shpreh Ramku sot gjatë ceremonisë hapëse të festivalit dhe ekspozitës.
Përfaqësues i Getty Foundation, Antoine Wilmering tha se ndihet i nderuar që erdhi sot ndërsa theksoi se ndërtesa e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës është thesar për vendin.
“Kur sheh kupolat, sheh një ndërtesë moderniste. Kjo ndërtesë është e mahnitshme dhe jam tejet i kënaqur që jam këtu. Bekim dhe drejtor Gajraku urime për hapin që e keni ndërmarr në konservimin e bibliotekës dhe pas këtij hapi keni edhe shumë për të bërë dhe gjithçka fillon me hapin e parë kështu që urime dhe faleminderit që më ftuat”, u shpreh Wilmering.
Drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku u shpreh se objekti i Bibliotekës Kombëtare është një nga arritjet më kurorëzuese të arkitekturës moderne të Kosovës që ka ardhur për të plotësuar idealet e lirisë së Kosovës, për kulturën e leximit, edukimit dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të shkruar dhe të shtypur dhe të regjistruar.
“Me anë këtij projekti të përkrahur nga fondacioni prestigjin Getty Fondation dhe realizuar Fondacioni i Arkitekturës së Kosovës nën drejtimin e Bekim Ramku që ka punuar bashkë me një grup të përzgjedhur të arkitektëve, inxhinierëve, ekspertëve të dokumentimit, historianëve të arteve dhe me punëtorët e Bibliotekës Kombëtare e që kanë bërë ç ‘është e mundu për të vëzhguar , ekzaminuar këtë hapësirë të Bibliotekës”, u shpreh Gajraku.
Gajraku tha se ndihet i nderuar që në këtë ceremoni ishte edhe Antoine Wilmering, të cilin e kishte takuar më parë në Londër ndërsa e kishte ndjerë përkushtimin e tij për ta përkrahur këtë plan. Ai shtoi se ky plan ka arritur që ta kthej Bibliotekën Kombëtare në listën prioriteteve të Qeverisë së Kosovës, veçanërisht të MKRS-së.
“Unë kam kuptuar peshën time të përgjegjësisë për këtë projekt shumë më shumë pas një trajnimi dhe prezantimi të këtij plani në Londër ku kam dëgjuar se si flisnin me dije e dashuri për projektet e vjetra e flisnin edhe objektin e Bibliotekës Kombëtare si të ishte objekt i vendit të tyre. Ky plan jo vetëm që ka arritur vëmendjen e publikut por edhe ka prioritizuar Bibliotekën Kombëtare të Kosovës të Qeveria e Kosovës, veçanërisht te Ministria e Kulturës jo vetëm për ta filluar procesin e renovimit por edhe atë të konservimit”, u shpreh Gajraku sot.
Në mbrëmje me fillim prej orës 19:00 fillon cikli i ligjëratave të hapura për publikun në ambientet e Kino Armatës, me ligjëratat e Valentin Kunik, Guillame de Morsie, Ibai Rigby dhe Charlotte Malterre-Barthes./ KultPlus.com