3 Mars, 2025 - 1:22 pm
U hap në Prishtinë ekspozita “Persekutimi komunist i hartuesve të alfabetit shqip dhe familjarëve”, organizuar nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Tiranë në bashkëpunim me Institutin Albanologjik të Prishtinës.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit Albanologjik, Naim Berisha, tha se përmes kësaj ekspozite paraqiten pjesë të rëndësishme të historisë shqiptare, raportoi KosovaPress.
Pjesë e hapjes së kësaj ekspozite ishte edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, i cili tha se kjo ekspozitë është një përpjekje për të mos i harruar sakrificat e hartuesve të alfabetit shqip.
Ndërkaq, drejtori i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Tiranë, Qelo Hoxha, tha se kjo ekspozitë paraqet viktimat e regjimit komunist.
Ekspozita u çel sot, në hollin e Institutit Albanologjik. Ajo është prezantuar më parë në Shqipëri si dhe në Manastir të Maqedonisë së Veriut, me rastin e përvjetorit të Kongresit të Manastirit. Më 28-30 janar 2025 ekspozita shkoi edhe në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup./atsh/KultPlus.com