20 Nëntor, 2017 - 10:42 am
Halil Muhaxherii takon brezit të mesëm të krijuesve kosovarë të cilët kontribuuan në begatimin e këndvështrimeve të reja tematike e shprehimore.
Në vitin 1971, pas studimeve post-diplomatike Halili doli para publikut beogradas me ekspozitën personale në Galerinë e Arteve të Universitetit të Kollarcit, me dhjetëra vepra të ciklit “Jeta dinamike”. Ai imagjinoi dhe fantazoi me plot kreativitet imazhet e jetës dinamike të njeriut të shekullit XX. Atëherë Halili u prit shumë mire nga publiku beogradas dhe nga kritikët e Beogradit.
Halil Muhaxheri nuk i takon atyre artistëve që synojnë ta trasojnë rrugën dhe pastaj të ecin të sigurt nëpër të. Ai vazhdimisht kërkonte, kthehej, ndryshonte, parapëlqente një veprim të caktuar për një periudhë, për të ndërtuar pak më vonë një botë tjetër. Shpesh thoshte se piktura nuk duhet t’i ngjasojë pikturës si veja vesë, e për këtë edhe ne pajoheshim me të.
Ai vazhdoi me zgjidhjet dinamike tejet ekspresive dhe në hap me kohën, nga figurativizmi ekspresiv, tek enformeli e pejsazhiasociativ deri tek zgjedhjet avangarde. Është një rrugë që ka pikat e dallimit, ku shenjat, simbolet, kompozicioni dhe hapësira paraqesin një kronologji të veprimtarisë së Muhaxherit.
Veprat e artistit janë mjaft të pasura me simbole mistike, si dhe ato të jetës reale. Kjo ekspozitë do të hapet sonte, në ora 19:00. /KultPlus.com