10 Shkurt, 2018 - 6:23 pm
Ekspozita, kurator i së cilës është Bejtullah Destani, është hapur në orën 15:00, në sheshin “Skënderbeu” dhe përmban 110 fotografi të ballinave të gazetave të botës që kanë raportuar për zhvillimet në Kosovë nga 1968 e deri më 2008.
Shënimi i 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka vazhduar edhe sot në qendrën e Prishtinës ku është hapur ekspozita “Rrënjët e shtetit”, derisa rreth 500 fëmijë ishin pjesë një karnavali.
Ekspozita kishte në fokus ballinat e medieve botërore, të cilat si referencë e kishin shtetin e Kosovës dhe periudhën 50 vjeçare, prej 68-ës e deri në 2008-ën, kur u shpall Pavarësia e Kosovës.
Pamjet të cilat ofronin tablotë e ekspozitave ishin kryesisht nga historia e Kosovës, periudhat nëpër të cilat kaloi populli shqiptar dhe personalitetet e njohura që ndikuan në formimin e historisë. Organizatorët e kësaj ekspozite, Ardian Arifaj dhe Adil Behramaj, anëtarë të këshillit organizativ për shënimin e 10 vjetorit të Pavarësisë, e kanë ideuar dhe realizuar këtë projekt.
Arifaj ka folur për idenë e këtij projekti, si vazhdimësi e aktiviteteve tjera në kuadër të 10 vjetorit të Pavarësisë. Ai tha se është një mënyrë e re për shpalosjen e historisë dhe rrugëtimit të Kosovës.
“Emri i saj tregon më së shumti. “Rrënjët e Shtetit” tregon nëpërmjet ballinave të medieve ndërkombëtare 50 vitet e Kosovës”, tha ai, raporton KP. Në sheshin “Skënderbe” janë vendosur gjithsej 15 korniza me ballinat e medieve ndërkombëtare, rreth 110 pamje për Kosovën.
Këto tablo do jenë në shesh përgjatë 3 ditëve tjera.
Përndryshe, aktiviteti i parë për sot ishte karnavali i fëmijëve, ku morën pjesë më shumë se 500 fëmijë. Ky aktivitet kishte filluar në orën 13:00 dhe ka zgjatur 2 orë. / KultPlus.com