28 Dhjetor, 2024 - 11:38 am
Rozafa Shpuza
Galeria ODA, një qendër e njohur arti që ka mirëpritur artistë nga vende të ndryshme të botës, këtë fundvit u bë mikpritëse e një ekspozite mbresëlënëse nga artisti i njohur Agron Mulliqi. Me një CV të pasur dhe një qasje autentike në artin bashkëkohor, Mulliqi solli në këtë hapësirë krijuese ekspozitën “Symphony of Ethnos,” një homazh i fuqishëm për traditën dhe shpirtin shqiptar, i ndërthurur me mjeshtërinë dhe vizionin e tij bashkëkohor.
Hapja e një ekspozite të tillë në një qytet si Shkodra, me një trashëgimi të pasur historike dhe kulturore, është një kontribut i rëndësishëm për pasurimin e jetës artistike dhe kulturore të qytetit. Shkodra, si një nga qendrat më të njohura të artit dhe kulturës në Shqipëri, i jep një kuptim të thellë çdo eventi artistik, duke krijuar një dialog mes traditës së saj të lashtë dhe shprehjeve moderne që vijnë përmes artit bashkëkohor. Ekspozita e Mulliqit, me një ndërlidhje të fortë mes së kaluarës dhe vizionit bashkëkohor, është një dëshmi e fuqisë së artit për të lidhur breza dhe për të frymëzuar në një qytet ku arti ka qenë gjithnjë një pjesë e pandashme e identitetit të tij.
Krijimet e tij, të ndërtuara me përpikëri dhe harmoni të jashtëzakonshme, reflektojnë një sintaksë unike artistike, ku vijat, simbolet dhe figurat gjeometrike rrëfejnë historitë e një etnosi të pasur. Elementet tradicionale shqiptare – nga flamuri kombëtar te furkat dhe djepat – shfaqen si pjesë të një mozaiku kulturor që ruan dhe celebron identitetin kombëtar. Këto motive krijojnë një ndërlidhje të thellë mes së kaluarës dhe së tashmes, duke i ofruar artdashësve një përvojë që është njëkohësisht nostalgjike dhe e freskët.
Pikturat e Mulliqit shpesh të ftojnë në misterin e një pazëlli, ku ti, si shikues, bëhesh pjesë e procesit krijues, duke vendosur pjesën që mungon. Përmes kësaj qasjeje, Mulliqi krijon një lidhje të drejtpërdrejtë me publikun, duke i dhënë artit të tij një dimension interaktiv dhe reflektues.
“Shijoni atë që kam shprehë përmes vijave, simboleve, figurave gjeometrike” – ky është mesazhi i qartë i Mulliqit, që i fton vizitorët të zhytën në artin e tij dhe të përjetojnë një dialog estetik përtej fjalëve. Ekspozita, e mirëpritur me entuziazëm dhe kuriozitet, e ngre artin në një nivel ku emocionet dhe tradita kombëtare përjetohen përmes një gjuhe universale, duke konfirmuar mjeshtërinë e veçantë të artistit./ KultPlus.com