6 Korrik, 2020 - 9:58 am
Ekspozita “Tribut për Ibrahim Kodrën” u përurua këto ditë në muzeun e Lichtensteinit .
Ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se ekspozita sjell punët origjinale të artistit Ibrahim Kodra, të cilat ruhen në koleksionin privat të familjes Pacolli, fondacionin “Ibrahim Kodra” Swiss Foundation, Bashkinë Campione d’Italia, etj.
“Piktori Ibrahim Kodra është cilësuar si qytetar i botës dhe në këto ditë të vështira, që po kalojmë, vepra e tij nuk mund të jetë veçse përbashkuese. Dashuria për vendlindjen, e pasqyruar në shumë prej tablove të tij është emocionuese dhe frymëzuese”, shprehet ministrja Elva Margariti në profilin e saj në Facebook, ku ka postuar dhe foto të ekspozitës që u hap më datë 1 korrik.
Ekspozita “Tribut për Ibrahim Kodrën” u mundësua nën patronazhin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Ministrisë së Kulturës në Shqipëri, Ambasadës Shqiptare në Konfederatën Zvicerane Liechtenstein, trupën diplomatike të Kosovës në Zvicër dhe Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Milano.
Ibrahim Kodra lindi në Ishëm, më 22 prill 1918 dhe u nda nga jeta më 7 shkurt të vitit 2006 në Milano. Ishte një piktor shqiptar me famë ndërkombëtare, dhe Kodra është konsideruar si piktori më i rëndësishëm shqiptar i njohur ndërkombëtarisht.
Jeta e Ibrahim Kodrës në Tiranë në konviktin e shkollës “Naim Frashëri”, ndërpritet kur 20 vjeç në 1938 largohet nga Shqipëria përgjithmonë me një bursë studimi nga oborri mbretëror për në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë. Ai e lë Romën dhe përfundon në Milano, në Akademinë e Arteve të Bukura të Brerës. Ai ekspozon në Romë, Milano, Venecia, Paris, Beograd, Nju Jork, krijon krahasimet dhe raporte me piktorë të mëdhenj si Pikaso, Marc Chagall, Henry Matisse, Lucio Fontana, Renato Guttuso, me poete, shkrimtarë, kritikë e regjisorë nga Eugenio Montale dhe Vittorio Sereni, nga Bertoni tek Bruno Munari, dhe Giuseppe Marotta.
Në vitin 1948, Ibrahim Kodra u bë mik me Pablo Pikason, pikërisht në “Konferencën Ndërkombëtare për Paqen e Romës”, në të cilën të dy së bashku ata kryen një hulumtim të thellë artistik. Në hulumtimin artistik të Kodrës, kubizmi i Pikasos do të ketë shumë ndikim, sidomos pas miqësisë së tyre në Romë më 1948. / KultPlus.com