14 Nëntor, 2022 - 4:20 pm
Në mjediset e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë është hapur për herë të parë për publikun ekspozita “Udhëtarë francezë në Ballkan e Orient”.
“Kanë kaluar rastësisht apo me mision në këtë kënd të Europës; herë me paragjykime e herë të mahnitur. Udhëtarët e huaj e sidomos ata francezë kanë lënë shumë dëshmi mbi udhëtimet e tyre në Shqipëri”, kështu shkruan ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në një postim në rrjetet sociale për ekspozitën.
Ekspozita u çel sot nga drejtori i BKSh-së, Piro Misha dhe nga Zv.ministrja e Kulturës, Meri Kumbe, me pjesëmarrje të veçantë nga përfaqësues të trupave diplomatike në Tiranë, studiues, shkrimtarë, përkthyes, publicistë, studentë etj.
Janë 700 njësi bibliotekare, si antikuarë, harta, botime me karakter albano-ballkanologjik etj. që ruhen në fondin e Bibliotekës Kombëtare dhe përbëjnë pasuri me vlera të mëdha për thesarin e kulturën shqiptare, një pjesë e të cilave nuk njihen nga publiku i gjerë.
Nëpërmjet kësaj ekspozite synohet paraqitja e një pjese të botimeve të udhëtarëve francezë në Levant, Ballkan, Bullgari, Kostandinopojë, Greqi, Shqipëri etj.
“Udhëtarë francezë në Ballkan e Orient” vjen me ilustrime e riprodhime nga materialet bibliotekare të ekspozuara, si: veshje karakteristike shqiptare të zonave të ndryshme të Shqipërisë dhe të vendeve të ndryshme të Ballkanit, ceremoni të ndryshme festive, pamje qytetesh, pamje panoramike shqiptare ose ballkanase, portrete të personaliteteve, udhëpërshkruesve francezë, të dhëna statistikore, harta etj./ atsh / KultPlus.com