2 Dhjetor, 2021 - 12:20 pm
Një ekspozitë arti me në qendër luftën dhe parandalimin e dhunës me bazë gjinore u hap në Durrës, në Galerinë e Arteve Pamore “Nikolet Vasia”.
Ekspozita u mundësua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në partneritet me Bashkinë e Durrësit dhe Qendrën Kulturore “Aleksandër Moisiu”.
Në ekspozitë u shfaqën veprat e piktorëve qytetas: Alketa Tragaj Myshketa, Elio Bajramaj, Aseli Kryemadhi, Bledar Kurti, Bajram Sallaku, Marjana Goxhabelliu, Arben Kristani, Shpresa Milaq Bajko, Dorina Sula, David Kryemadhi, Florian Bregu, Jonil Çelo, Franc Priska dhe Antonin Gjeluci.
Kjo veprimtari u organizua në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, fushata vjetore ndërkombëtare që nis më 25 Nëntor, Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe zgjat deri më 10 Dhjetor, Dita e të Drejtave të Njeriut. Ashtu si edhe vitet e kaluara, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri po i feston nëpërmjet veprimtarive të ndryshme 16 Ditët e Aktivizmit, pasi është plotësisht e angazhuar në luftë kundër të gjitha formave të dhunës me bazë gjinore.
“Jam jashtëzakonisht krenare që kam mundësinë të jem këtu me ju sot, në hapjen e kësaj ekspozite mbresëlënëse. Nuk ka mënyrë më të mirë sesa arti për të simbolizuar pozitivizmin, shpresën, qëndrueshmërinë, forcën, bukurinë, inteligjencën dhe krijimtarinë e nevojshme për të luftuar dhunën me bazë gjinore. Dhuna ndaj grave dhe vajzave cenon sigurinë dhe mirëqenien e komunitetit, duke penguar jo vetëm pjesëmarrjen e mundshme të grave në promovimin e një shoqërie demokratike, por edhe duke qenë një kërcënim serioz ndaj të drejtat dhe liritë e njeriut”, tha zëvendëskryetarja e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Clarisse Pasztory, në ceremoninë e hapjes së ekspozitës.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, e mbështetur nga Bashkia Durrës dhe Biblioteka Publike, do të zhvillojë sot në mbrëmje një trajnim ndërgjegjësues për Sigurinë e Gruas me pjesëmarrjen vajzave dhe grave durrsake. Ky trajnim ka për synim trajtimin specifik të rreziqeve dhe kërcënimeve të sigurisë që i prekin më së shumti gratë. Do të jetë një mundësi e mirë për gratë dhe vajzat që të ndajnë përvojat e tyre në këtë fushë si dhe të njihen me masat përkatëse për t’u përballur më së miri me rreziqet dhe kërcënimet e lartpërmendura./atsh/KultPlus.com