25 Tetor, 2018 - 8:45 pm
Qyteti Kumanovës do të jetë qendra e artit më datë 27 tetor. Kjo do të jetë një datë shumë e rëndësishme pasi në të njëjtën ditë, në Pallatin e Kulturës do të mbahen dy evente të rëndësishme por me një lidhje midis njëra tjetrës.
Koleksionisti Ermal Sela do të shfaq Ekspozitën “Midis Shekujsh” e cila përbëhet nga shumë instrumente tradicionale Shqiptare të cilat janë pjesë e trashëgimisë sonë kulturore dhe artistike. Këto instrumente janë përdorur rëndom në rituale të ndryshme apo edhe në ceremoni e festa. Shumë nga këto instrumente janë të vjetër dhe mjaft të veçantë duke pas parasysh edhe punimin e tyre unik.
Pas kësaj ekspozite të rrallë, do të mbahet një koncert nga ansambli frymor “Albanian Brass Quintet&Percussion”. Ky ansambël përbëhet nga artistët më në zë të instrumenteve te tumxhit. Ata do të luajnë muzikë mjaft demokratike dhe të zhanreve të ndryshme.
Një prej të ftuarve të mbrëmjes do të jetë edhe tenori nga Kumanova, Ismet Vejseli i cili do të këndoj disa këngë Shqiptare të shoqëruara nga “Albanian Brass Quintet&Percussion”.
Ky koncert ka si synim zgjimin e klasës politike në vend, por mbi të gjitha informimin dhe influencimin tek brezi i ri. Është shumë e rëndësishme që ky brez të ketë të gjithë të drejtën për tu shkolluar dhe informuar akoma më shumë rreth ndërgjegjes për artin. Në këtë mënyrë ata mundet të jenë në të ardhmen pjesë e Institucioneve Kulturore në vendin e tyre e me gjerë.
Në këtë event do të jepet një bursë master-class për një nga studentët më të dalluar të Kumanovës. Kjo bursë akordohet nga Festivalit “International Albanian Brass Festival” dhe nga Universiteti i Arteve të Tiranës.
Studenti në fjalë, do të ndjek mësime nga Pedagogët në Tiranë por gjithashtu do të jetë edhe pjesë e koncerteve gjatë periudhës së Festivalit. Emri i këtij studenti do të jetë surprizë deri në ditën e koncertit më datë 27 tetor.
Pjesëtarët e Ansamblit “Albanian Brass Quintet&Percussion” janë Reinald Foci – Trombe Xhino Daja – Trombe Ilir Kodhima – Korno Dorian Llanga – Trombon Ilir Vorpsi – Bass Trombon Gridi Kraja – Perkusion Organizator i këtij organizimi është Ramadan Osmani. /KultPlus.com