2 Prill, 2024 - 3:32 pm
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së akademikut Ali Aliu, hapi sot një ekspozitë e cila sjell në vëmendje të publikut gjithë kontributin e tij si kritik dhe studiues i letërsisë.
Letërsia shqipe e traditës dhe sidomos letërsia bashkëkohore janë fusha kryesore të punës së prof. Ali Aliu.
Biblioteka Kombëtare kujton se, prof. Ali Aliu ndjek pa ndërprerje zhvillimet bashkëkohore në letërsinë shqipe, duke u kushtuar vëmendje të veçantë veprës së krijuesve më të shquar të saj. Ali Aliu është autor i librave me kritika, ese e studime: “Kërkime” (1971), “Shqyrtime” (1974), “Rrjedhave të letërsisë” (1977), “Kritika” (1980), “Teoria e letërsisë” (1986), “Don Kishoti te Shqiptarët” (1996, 2005), “Reflekse letrare” (1999), “Magjia e fjalës” (2003) etj.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore të BKSH-së.
Ndërkohë Akademia e Shkencave e Shqipërisë e uroi anëtarin e saj të jashtëm Ali Aliu, gjatë një tryeze shkencore kushtuar jubileut të lindjes së tij, organizuar në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave e Arteve të Kosovës.
Në këtë tryezë morën pjesë e referuan nga Tirana shkrimtari Zija Çela, dr. Arian Leka (përgjegjës i sektorit të enciklopedisë në QBEA), akad. Shaban Sinani. Pjesëmarrës në linjë ishte edhe akad. Matteo Mandalà, anëtar i jashtëm i ASHSH.
Akademik Ali Aliu lindi më 1 prill të vitit 1934 në Prespë. Ai është autor i 65 studimeve monografike dhe përmbledhjeve me studime. Ka mbi 130 artikuj shkencorë të botuar dhe mbi 100 recensione; përkthyes nga shqipja në gjuhë të fqinjëve i 25 veprave dhe redaktor shkencor e përgatitës botimesh për rreth 50 tituj. / atsh / KultPlus.com