21 Mars, 2023 - 10:30 pm
Muzeu Marubi do të prezantojë ekspozitën personale të fotografëve Safet e Gjylzade Dokle, kuruar nga Lek M. Gjeloshi, shkruan KultPlus.
Aktiviteti fotografik i bashkëshortëve Safet e Gjylzade Dokle u zhvillua në Borje të Rrethit të Kukësit e më gjërë, duke përshkuar një hark kohor dyzet vjeçar, nga vitet ’30-të deri në fillim të viteve ’70-të.
Në koleksionin e tyre fotografik dokumentohet historia politike, jeta shoqërore, ritualet e ndryshme dhe aspektet tradicionale të Shqipërisë verilindore të asaj kohe.
Ky koleksion, i cili përbëhet nga rreth njëzetmijë negativë, është më i madhi i dhuruar mbas viteve ’90-të në arkivin e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.
Ekspozita sendërton narracionin e parë mbi të, ku një vëmendje e posaçme i dedikohet përmasës etnografike dhe ezoterizmit që ajo ofron tanimë si fluks imazherik.
Ekspozita do të hapet më 24 mars në ora 19:00./ KultPlus.com