Ekspozitë e Kaltrina Rrustemit në muzeun ‘Kunsthalle Basel’

1 Dhjetor, 2021 - 9:08 pm

Kaltrina, artiste e re që jeton në Zvicër, ekspozitën e saj e ka emëruar “Hommage à la guerreque je n’ai pas vécue” (Homazh luftës që nuk e kam përjetuar), e cila i kushtohet kujtesës për një odë, dhomë të pritjes në Kosovë, që u shkatërrua në luftë dhe jeton ende në art, në kujtesë.

Katrina Rrustemi ka hapur ekspozitën personale në muzeun “Kunsthalle Basel” të Zvicrës më 27 nëntor dhe ajo do të jetë e hapur deri më 2 janar 2022. Më parë Kaltrina mori pjesë në ekspozita me instalacione edhe në Gjenevë, më 2019 dhe në “Kunsthalle Mulhouse”, më 2020.

Ekspozita, që ka zgjuar interesin e dashamirëve të artit në Bazel, është organizuar në kuadër të projektit “VonmöglischenWelten” (Prej botëve të mundshme), i cili përmbledh 19 institucione të artit nga Franca, Gjermania dhe Zvicra.

Kaltrina, artiste e re që jeton në Zvicër, instalacionin e saj e ka emëruar “Hommage à la guerreque je n’ai pas vécue” (Homazh i luftës që nuk e kam përjetuar).

Punimi është krijuar nga kujtimet. Kujtimet janë gjithmonë fragmente, pjesë-pjesë dhe mbi një mozaik të tillë memorizues është krijuar edhe punimi. Ajo ka përdorur fotografitë prej albumeve të fëmijërisë, duke provuar të krijojë dhomën e madhe të shtëpisë së gjyshes së saj në Hade, Kastriot.

Image

Duke folur për veprën që ekspozohet, Kaltrina e emocionuar thotë: Kjo vepër ka lindur në pranverë 2019, kur mblidhja ide që lidheshin me temën e punimit të diplomës në Shkollën e Lartë të Arteve në Gjenevë. Një ditë shkova të shoh një ekspozitë që e kishin organizuar studentët shqiptarë të Gjenevës. Ekspozita tregonte historinë e Kosovës, luftën e fundit dhe ishte organizuar në shënimin e 20-vjetorit të luftës. Kam lexuar në këtë ekspozitë dëshmi nga kosovarë në diasporë dhe po kështu edhe vendas. Mendova se kurrë nuk paskam pa dëshmi të tilla të luftës. U ktheva në shtëpi me shumë emocione. Me gjithë këto emocione vendosa të tregoj edhe unë pjesën time të kësaj historisë.

Vet titulli i ekspozitës përcjell dualitet, sfera të ndryshme të jetës që përballen njëra me tjetrën duke treguar kompleksivitetin e jetës dhe realitetin në Kosovë.

Image

Frymëzimi i Kaltrinës ishte pikërisht dhoma e madhe, oda e gjyshes së saj që ishte djegur në luftë, por kishin mbetur kujtimet për të. Ajo e di se kur rritesh larg vendit tonë, si fëmijë, është shumë e vështirë të kuptosh çfarë do të thotë identiteti, përkatësia. Rritesh duke u ndjerë sikur nuk je si ata, je tjetër, flet edhe një gjuhë tjetër, ke edhe një kulturë tjetër dhe shumicën e kohës, mundohesh të fshihesh se do të jesh sikur të tjerët. Kur kthehesh në Kosovë nga Zvicra e ke ndjenjën e shtëpisë, të familjes, është një vend që e di se është edhe yti. Punimi i Kaltrinës flet për këtë ndjenjë unike.

Është shkruar edhe në katalogun e ekspozitës “Vonmöglichen Welten” (Prej botëve të mundshme), se kjo ekspozitë tregon rëndësinë e artit kur, bota ka nevojë për ngjarje të së kaluarës, sikur edhe për ato të reja. Pikërisht këtë e shpreh kjo ekspozitë. Është një pjesë e vogël, individuale, por edhe e një pjesë historie shumë më të madhe, kolektive, historia e Kosovës, historia e luftës dhe dramës që shkaktoi ajo në vendlindjen e prindërve të saj.

Kaltrina shprehet se është e lumtur dhe krenare që iu dha mundësia të paraqesë punimin e saj për artdashësit zviceranë në qendër të qytetit, në Muzeun e famshëm të Bazelit. Ajo mendon se diaspora kosovare që është e madhe në Zvicër është ende pak e reprezantuar.

Historia jonë është edhe pjesë e historisë së Zvicrës dhe mendoj është rëndësishme të integrohemi dhe të paraqitemi sa më shumë me vlerat tona në institucionet e kulturës, përfundon ajo.

Image

Të ngjajshme