3 Prill, 2024 - 4:00 pm
“E kaluara e tashme” do të titullohet ekspozita që do të ngrihet për të qëndruar përgjithmonë në Spaç të Mirditës.
49 portretet e ish-të burgosurve politike që janë ende në jetë, bashkë me rrëfimet e tyre do të jenë të hapura për publikun që prej datës 13 prill e në vazhdim. Kushdo mund të shohë trupëzimin e 49 portreteve në një skulpturë të vetme e cila kthehet në një monument të kujtesës kolektive, pikëtakim dhe pikënisje e procesit zhvillimor shoqëror.
Kjo ekspozitë është një akt artistik-kulturor i cili finalizohet me praninë e publikut, rinisë, institucioneve, dhe të gjithëve si aktorë aktivë të ndërtimit të një shoqërie.
Ekspozita audiovizuale e organizuar nga organizata jofitimprurese “Tek Bunkeri”, është një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian, pjesë e programit të EU4Culture, zbatuar nga UNOPS, në partneritet me MEKI.
Për të realizuar skulpturat, janë kërkuar të mbijetuar nga burgu i Spaçit të cilët janë ende gjallë. “Tek Bunkeri” udhëtoi në 8 qytete të Shqipërisë ku u takua me më shumë se 60 ish të burgosur politikë, nga të cilët 49 u treguan të gatshëm të merrnin pjesë në këtë projekt, duke realizuar portretet e tyre e duke regjistruar historitë personale të përjetuara në burgun e Spaçit në Mirditë. Qëllimi i ekspozitës është të treguarit e kësaj pjese të historisë shqiptare me anë të krijimit të një skulpturë monumentale e cila do të qëndrojë përgjithmonë në Spaç. / atsh / KultPlus.com