12 Korrik, 2023 - 2:32 pm
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, përmes një ekspozite, përkujton akademikun Aleks Buda, në 30-vjetorin e ndarjes nga jeta, duke sjellë në vëmendje të publikut trashëgiminë e tij të pasur si një studiues me formim e kulturë të gjithanshme, historike, gjuhësore, arkeologjike, etnografike, të artit mesjetar etj.
Aleks Buda, personalitet i jashtëzakonshëm i historiografisë dhe i kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XX, ka qenë edhe drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë në vitet 1945-1946 dhe kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, që në themelimin e saj në vitin 1972 deri në vitin 1993.
Kjo ekspozitë përmbledh vetëm një pjesë modeste të trashëgimisë së tij të pasur në fushën e studimeve albanologjike, historike, gjuhësore përmes botimeve të shumta studimore, konferencave shkencore por sjell edhe kontributin e tij në drejtimin e shtypit periodik shqiptar, si dhe përmes artikujve shkencorë në fusha të ndryshme të kulturës shqiptare.
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë ruan në fondin e saj bibliotekën personale prej rreth 9.000 librash të akademikut Aleks Buda, dhuruar BKSh-së nga familja në vitin 2008./atsh/KultPlus.com