10 Tetor, 2024 - 2:47 pm
Muzeu Historik i qytetit të Pogradecit çeli një ekspozitë në përkujtim të 122-vjetorit të lindjes së fotografit të shquar pogradecar, Misto Cici. Vizitorët dhe kryesisht nxënësit e shkollave patën mundësinë të shohin nga afër dhe të njihen me kontributin e tij të jashtëzakonshëm në dokumentimin e jetës dhe kulturës së Pogradecit përmes objektivit.
Misto Cici lindi më 10 tetor 1902 dhe u rrit në qytetin e Pogradecit. Bashkë me të vëllanë iu kushtuan fotografisë. Një rol të madh luajtën dhe udhëtimet e tij në Greqi e Itali. Në vitin 1925 caktohet nga Drejtoria e Shtypit dhe Propagandës Turistike të bëjë një seri fotosh artistike të Pogradecit. Ky angazhim do ta evidentojë atë si fotografin e parë të fotografisë artistike.
Misto Cici në vitin ‘47 u cilësua si fotografi më i mirë për cilësinë dhe saktësinë e fotografimit gjatë fushatës për pajisjen e popullsisë me pasaporta të reja. Ai u shndërrua në fotografin e parë të Pogradecit dhe të parin e fotografisë artistike në Shqipëri./atsh/KultPlus.com