Ekspozitë me letrat e të burgosurve politikë gjatë komunizmit

29 Tetor, 2024 - 3:47 pm

Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit hapi sot ekspozitën “Letra nga Ferri”, tek Piramida e Tiranës.

Ekspozita multimediale “Letra nga Ferri” sjell para publikut një nga periudhat më të errëta të historisë shqiptare, gjatë regjimit komunist (1944-1990).

Ekspozita evokon një atmosferë introspektive dhe të thellë, ku synohet që vizitorët të përjetojnë emocionet, vuajtjet dhe shpresat e atyre që përjetuan ferrin e burgjeve komuniste. Në qendër të saj janë fjalët e të burgosurve, dëshmi të shkruara të një qëndrese që tejkaloi torturat dhe mizoritë.

Për herë të parë ekspozojmë dy letra origjinale të Zef Zorbës drejtuar nënës së tij, të vëna në dispozicion nga muzeu Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës. Janë me mijëra letra të shkruara nga të dënuarit politikë, që kalojnë shifrën e 3 mijë faqeve arkivore, një koleksion të disponueshëm edhe nga ISKK, ku në këtë ekspozitë janë përzgjedhur letrat përfaqësuese që luajnë një rol të rëndësishëm dëshmues mbi natyrën e regjimit diktatorial.

Vizitorët do të kenë mundësinë të njohin jo vetëm kushtet e tmerrshme të jetesës në këto burgje, por edhe aktin e shkrimit si një formë rezistence. Letrat janë një formë e të shkruarit të drejtpërdrejtë, ku ndjenjat personale dhe vëzhgimet e përditshme janë përzierje e shpresës dhe dëshpërimit, duke shërbyer si një mjet për të mbajtur të gjallë lidhjet me botën jashtë, familjen dhe lirinë.

Letrat e paraqitura si objekte të vërteta historike, janë njëkohësisht dëshmi të një lufte të brendshme për të mbajtur shpresën të gjallë. Vizitorët do të mund të lexojnë përmbajtjen e tyre përmes shënimeve të vendosura pranë letrave origjinale.

Në përfundim, ekspozita përmban një hapësirë reflektimi, ku vizitorët do të mund të lënë mendimet e tyre dhe të përfshihen në dialog rreth trashëgimisë së kësaj periudhe dhe rëndësisë së mbajtjes gjallë të kujtesës kolektive./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme