Ekspozitë me piktura e frymëzuar nga fotografitë

12 Prill, 2025 - 6:31 pm

Dritëhijet e portreteve të fotografuara nga Dinastia “Marubi” frymëzuan piktorin shkodran, Shpëtim Garuci për ekspozitën më të re vetjake. Imazhet e njohura historike të rreth një shekulli më parë duket se “ringjallen” në epokën aktuale falë ngjyrave të ndezura dhe mjeshtërisë së realizimit të tyre.

Garuci i jep shpirtin krijues 44 portreteve duke i bërë ato origjinale dhe jo thjesht riprodhim.

“Unë desha që ta sjell, ta risjell atë vlerën të Marubit në një formë tjetër, nëpërmjet meje, nëpërmjet pikturës sime. Ku në çdo pikturë që unë kam bërë, kam ndërtuar një mekanizëm që ti jap shikuesit një diçka të veçantë”, shprehet autori i ekspozitës, Shpëtim Garuçi.     

Kuratori Oltsen Gripshi shprehet se ekspozita dallon për estetikën e saj.

“Një imazh i cili përvijon do të thoja traditën e pikturës shkodrane. Të një fryme krejt të veçantë. Kemi një pikturë e cila huazohet nga fotografia e Marubit dhe këtu jemi oaz midis ky kohëve të së kaluarës së Marubëve, dinastisë së Marubëve por jo vetëm”, thotë kuratori Oltsen Gripshi.

Punën e bërë nga autori e vlerëson edhe mjeshtri i pikturës, Skënder Strica.

“Një nga vlerat që ka ekspozita është gjetja e tij. Pra këtu ka rreth të një mrekullie që trashëgon qyteti ynë të cilën asnjë qytet tjetër nuk e ka”, përmbylli piktori Skënder Strica.

Kjo është ekspozita e tretë për piktorin Shpëtim Garuci dhe vjen pas 7 vitesh nga ajo e fundit./klan/ KultPlus.com

Të ngjajshme