Ekspozitë në 100-vjetorin e lindjes së akademikut Arben Puto

12 Qershor, 2024 - 7:00 pm

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në 100-vjetorin e lindjes së juristit, politologut, akademikut Arben Puto (1924-2016), çeli dje ekspozitën e cila sjell në vëmendje të lexuesit gjithë kontributin e tij në fushën e drejtësisë, të historisë dhe të diplomacisë shqiptare.

Arben Puto lindi në Gjirokastër. Ndoqi Liceun Kombëtar (francez) në Korçë dhe pas mbylljes së tij vijoi në liceun “Châteaubriant” në Romë. Mori pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Pas çlirimit përfundoi shkollën e mesme në Gjimnazin e Tiranës (1946) dhe kreu studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Moskës (1951).

Punoi në sektorin juridik të Ministrisë së Punëve të Jashtme (1951–1957). Pedagog në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës (1957–1990), ku ka dhënë lëndën e së Drejtës Ndërkombëtare. Ka marrë pjesë aktive në proceset demokratike pas viteve 1990, duke kryesuar Komitetin Shqiptar të Helsinkit që nga krijimi (1990) dhe me ndërprerje deri në vitin 2000.

Kjo ekspozitë prezanton botimet e prof. Arben Puto ndër vite për çështjen e të drejtës, për historinë diplomatike të çështjes shqiptare, në shqip, anglisht dhe frëngjisht që ndodhen në koleksionet e BKSH-së.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore të BKSH-së./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme