26 Prill, 2019 - 10:10 pm
Për 20 vjetorin e përkujtimit të luftës në Kosovë, Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Gjenevës (ShSShGj) në Zvicër, në bashkëpunim me Universitetin Popullor Shqiptar (UPSh) do të hapë një ekspozitë me fotografi rreth luftës në Kosovë.
Sipas njoftimit kjo ekspozitë do të mbahet në Universitetin e Gjenevës, në Unimail, nga 30 prilli deri më 4 maj të vitit 2019. “Më saktë, kjo është një ekspozitë fotografike nga fotografë të njohur nga agjencia « Magnum », e cila përjetëson nëpërmjet fotografive, vuajtjet e njerëzve si pasojë e luftës, duke dëshmuar më mirë se kushdo të kaluarën tonë të dhimbshme të këtyre viteve të fundit”, thuhet në njoftimin e bërë në “Facebook”.
Kjo është një punë e bazuar në kujtimet e kohës së luftës në Kosovë me qëllim tërheqjen e vëmendjes së publikut, në mënyrë që ta bëjë atë të reflektojë mbi pasojat e dëmshme të saj. Qëllimi i kësaj ekspozite sipas organizatorëve është të informojë publikun për këtë luftë, plagët e së cilës janë ende të freskëta.
“Të flasësh për këtë temë, do të thotë ta ndalosh atë që të ndodhë sërish”, thuhet tutje në njoftimin e tyre./21Media/ KultPlus.com