20 Mars, 2023 - 2:12 pm
Një Prishtinë me shumë gjelbërim, më pak ndërtesa e njerëz që tregojnë jetën në një kohë ndryshe, u shfaq sot në ekspozitën “Gjurmimi i rrënjëve të Prishtinës” e cila u hap në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.
Ky qytet me një histori e kulturë të vjetër, u prezantua përmes disa fotografive bardh e zi që kishin zënë vend në një hapësirë poashtu të vjetër të kryeqytetit.
Fotografitë tregonin për kohë të ndryshme të këtij qyteti, rrugë që sot as nuk mund të gjinden, ndërtesa të cilat nuk ekzistojnë dhe kanë mbetur vetëm në kujtesën kolektive të banorëve të vjetër të këtij vendi, për të vazhduar me jetën e njerëzve të këtij qyteti në kohën e Jugosllavisë, me banorët që shkojnë në treg, në shkollë, në punë, dhe në aktivitete të tjera sociale.
Kjo ekspozitë zbërthyese erdhi në kuadër të hartimit të projektit për Menaxhimin e Qendrës Historike të Prishtinës, por gjithashtu ishte edhe një gjetje e duhur për takim me qytetarët me synim identifikimin e shënjuesve të rëndësishëm në qytet.
Për këtë ekspozitë e cila erdhi si bashkëpunim në mes të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe UN-Habitatit, për KultPlus foli edhe menaxherja e projektit të UN-Habitat, Zana Sokoli e cila u shpreh se kjo ekspozitë në mënyrë kronologjike e shpjegon zhvillimin e qytetit, mënyrën se si njerëzit kanë jetuar dhe ndërvepruar si dhe shpërndarjen hapësinore të lagjeve, fotografi të një Prishtine shumë ndryshe nga kjo ekzistuese.
“Ne si UN-Habitat që prej vitit të kaluar kemi filluar me një program bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe që është një program për integrimin e trashëgimisë kulturore në procese të planifikimit. Njëri ndër projektet kryesore të këtij bashkëpunimi është edhe studimi i fizibilitetit dhe plani i menaxhimit të Qendrës Historike të Prishtinës. Kjo ekspozitë dhe ky takim me qytetarë është në kuadër, dhe do t’i shërbejë këtij hulumtimi që ne po bëjmë drejt rrugës për të përcaktuar mekanizma mjete për të mbrojtur, por më e rëndësishmja për të zhvilluar atë që do të përcaktohet si Qendra Historike dhe qendra e saj mbrojtëse e Prishtinës”, ka thënë Zana Sokoli.
Menaxherja e këtij projekti tutje ka thënë se sot gjatë gjithë ditës do të presin qytetarë të cilët me bisedat dhe diskutimet e tyre për këto fotografi do të kontribuojnë për të hartëzuar memorien e tyre dhe aspekte të rëndësishme, si shënjues që ka qyteti i Prishtinës e për të cilat nuk ka shumë informacion. Këto të dhëna do të jenë pjesë e hulumtimit dhe do të ndikojnë për të qenë sa më real kur të përcaktohet se cila është pjesa e vjetër e qytetit, si ka qenë, si është dhe si do të zhvillohet edhe më tej.
Ndërsa Merita Augustini-Nrecaj, zëvendësdrejtoreshë e Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit, ka thënë se ekspozita e sotme është bërë më së shumti për qytetarët e kësaj zone në mënyrë që të vijnë, të shoqërohen, të diskutojnë, si dhe të japin komente të cilat pastaj grupi i UN-Habitatit, Ministrisë së Kulturës dhe Komunës do t’i përfshijnë gjatë procesit të planit të fizibilitetit për Qendrën Historike të Prishtinës.
“Ekspozita është përgatitur prej UN-Habitatit, por procesi i hartimit të planit të fizibilitetit ka filluar në vitin e kaluar me mbështetje financiare të Ministrisë së Kulturës edhe është në proces e sipër. Pas planit të fizibilitetit do të punohet për planin e menaxhimit dhe të konservimit të Qendrës Historike edhe përcaktimit të kufijve definitiv të perimetrit dhe zonës së saj mbrojtëse”, ka thënë Augustini-Nrecaj.
Augustini-Nrecaj tutje i fton qytetarët që të shkojnë në ekspozitë dhe të japin kontributin e tyre në memorizimin e pjesëve të vjetra të qytetit.
“Janë disa foto të cilat ne nuk i kemi parë më herët dhe po na bëjnë përshtypje se ku mund t’i gjejmë në hartë sepse pamja e Prishtinës edhe ka ndryshuar me vite. I ftoj qytetarët që të vijnë ta vizitojnë sa më shumë dhe të japin kontributin e tyre edhe memorien e tyre ta ndajnë bashkë me ne për Prishtinën e vjetër”, ka përfunduar Ndrecaj.
Ekspozita do të qëndroj e hapur deri në ora 17:00, në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës, në Prishtinë. / Vjollca Duraku / KultPlus.com