5 Qershor, 2024 - 12:39 pm
Në Muzeun Historik të Shkodrës u hap dje ekspozita fotografike ”Koleksioni Arkeologjik, Leon Rey”.
Ekspozita fotografike e fondit të fotografive të Leon Rey që dokumenton Apoloninë nga viti 1924 deri në 1938 është një mundësi e shkëlqyer për të hulumtuar mbi burime historike, promovuar dhe përshkruar punën dhe kontributin e vyer të Rey në fushën e arkeologjisë shqiptare.
Imazhet e përzgjedhura hedhin dritë mbi procesin e kërkimit arkeologjik, teknikat, regjistrimet e gjetjeve si dhe me historinë dhe kulturën e Apolonisë.
Kjo ekspozitë vjen si bashkëpunim mes Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër dhe Parkut Arkeologjik Apoloni-Bylis, mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Muzeu Historik Shkodër, në kuadër të kremtimit të 100 vjetorit të punës kërkimore të një arkeologu të shquar burim frymëzimi për arkeologjinë dhe historinë e Shqipërisë.
Leon Rey, arkeologu që nxori në dritë Apoloninë, u lind në 27 gusht të vitit 1877 në Formantier pranë Parisit. U diplomua për arkeologji në universitetin “Kortre”, një nga institucionet më të famshme të arkeologjisë franceze.
Në vitit 1923 Leon Rei së bashku me senatorin francez Justin Gotard, vizitoi vendin tonë duke punuar fillimisht si arkeolog në Dyrrah.
Por pas disa muajsh, nuk dihet për ç’arsye, arkeologu la përgjysmë punën e tij, për t’u zhvendosur përfundimisht në Apoloni.
Dikur qyteti antik i Apolonis ngacmonte vetem vemendjen e njerëzve të apasionuar pas gjetjes së thesareve, arkeologjisë dhe të banoreve vendas që u interesonin gurët e renojave si material ndërtimi. Kazmat e para prej arkeologëve profesionistë u ngulën vetëm në vitin 1916 nga austriakët Prashniker dhe Shober. Të nxitur nga zbulimet e suksesshme të austriakëve gjatë Luftës së Parë Botërore, do të ishin francezët që morën në dorë gërmimet arkeologjike në Apoloni.
Për 14 vjet me radhë, Misioni Arkeologjik Francez do të drejtohej nga Leon Rei, njeriu për të cilin ky qytet do të bëhej “Dashuria e ndërprerë” si dhe pengu i jetës së tij.
Për herë të parë në arkeologji, ai përdori metodën e fotografimit nga lart të rrënojave antike, duke shfrytëzuar avionët luftarakë franceze./atsh/KultPlus.com