6 Mars, 2023 - 2:05 pm
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, njoftoi sot përmes një postimi në rrjetet sociale, për çeljen e një ekspozite që i bën homazh institucionit të parë të gjuhës shqipe, Mësonjëtores së Korçës.
“Kuptimin e vërtetë 7 marsi e ka në Korçë, në Mësonjëtoren e Parë Shqipe, që shpërndau dritën në të gjithë Shqipërinë”, shkruan ministrja Margariti, duke ftuar në këtë mënyrë, pranë Muzeut të Arsimit në Korçë, ku nesër me rastin e Festës së Mësuesit, do të hapet ekspozita “Mësonjëtoret e para përmes dëshmive të kohës”, ekspozitë e cila sjell objekte, fotografi, zëra.
7 marsi i këtij viti përkon me 136-vjetorin e Mësonjëtores. Me këtë rast Muzeu i Arsimit ka përgatitur një ekspozitë me sende personale, fotografi dhe materiale që do të shfaqen në video, si homazh i përpjekjes për dije.
Mësonjëtorja u hap më 7 mars të vitit 1887 në Korçë në periudhën e fundme të Perandorise Osmane. Tashmë ndërtesa e shkollës shërben si muze. / atsh / KultPlus.com