25 Mars, 2019 - 9:30 am
Derisa radiot anembanë botës kanë ndaluar transmetimin e muzikës së Michael Jacksonit, një muze në Gjermani ka vendosur të hapë ekspozitën e re për Mbretin e muzikës pop, transmeton albinfo.ch.
Ekspozita “Michael Jackson: On The Wall” është hapur të premten në muzeun e artit në Bonn të Gjermanisë.
Koleksioni përfshin diku 100 vepra arti nga 70 artistë të ndryshëm, përfshirë David LaChapelle dhe Andy Warhol. Premiera e ekspozitës ka ngjallur debat nëse është mirë që këngëtari i ndjerë të vazhdojë të nderohet pas transmetimit të dokumentarit “Leaving Neverland” që shpërfaq akuza për abuzim me fëmijë.
Dokumentari ka shkaktuar kritika të mëdha ndaj trashëgimisë së Jacksonit dhe disa radio të njohura kanë ndaluar transmetimin e muzikës së tij, ndërsa shumë statuja të tij janë rrëzuar nëpër botë.
Shtëpia e njohur e modës “Louis Vuitton” ka hequr nga raftet koleksionin verë 2019 që kishte frymëzim Michael Jacksonin. Familja e këngëtarit e ka cilësuar gënjeshtër dokumentarin dhe ka thënë se Mbreti i popit është 100 % i pafajshëm. / KultPlus.com