21 Shkurt, 2023 - 2:46 pm
Për nder të 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, është hapur sot ekspozita me temën e Pavarësisë, me punimet e nxënësve të talentuar të Kosovës dhe Shqipërisë.
Kjo ekspozitë pikturash e ndërthurur mes dy shteteve tona, është shembulli më i mirë që ndjekin shkollat në zhvillimin artistik vendor dhe jo vetëm.
Ministrja e Arsimit, Arbëria Ngavci e cila ishte prezente në këtë ekspozitë, është shprehur se nxënësit tanë të talentuar kanë përkthyer me ngjyra dhe pëlhurë ngjarjen e madhe të Pavarësisë sepse ata sot gëzojnë Kosovën e lirë dhe të pavarur.
“Me dëshirë vëllazërore dhe vullnet të hekurt, falë një bashkëpunimi shumë të ngushtë me homologen time Evis Kushi, kemi hedhur themelet për një intensitet edhe më të madh të aktiviteteve të përbashkëta.
Përveç disa marrëveshjeve të bashkëpunimit, për herë të parë vogëlushët tanë mësojnë me Abetaren e përbashkët unike, po ashtu kemi realizuar aktivitete të përbashkëta muzikore, si dhe marrëveshje që krijojnë lehtësira për studentët dhe profesionistët tanë.
Do të vazhdojmë të mbështesim të rinjtë e talentuar e që janë të zellshëm për të ofruar frymë të re bashkëpunimi ndërmjet gjeneratave të të dy vendeve”, shprehet Nagavci. / KultPlus.com