25 Shkurt, 2021 - 2:00 pm
Dokumente origjinale që ruhen në Fondin Personal të Musine Kokalarit në Arkivin Qendror Shtetëror, u ekspozuan sot për herë të parë në një hapësirë publike.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave zgjedh shënoi kështu Muajin e Kujtesës, duke kujtuar një ndër figurat më emblematike të intelektualizmit shqiptar, gruan e parë shkrimtare të vendit, të burgosur dhe të internuar si rrallë kush nga regjimi komunist.
E pranishme në aktivitet, ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se “m vjen mirë që muaji i kujtesës i shpallur nga Ministria e Kulturës po krijon rrathë të tillë kaq të rëndësishëm dhe që institucionet e tjera po nxjerrin prej fondeve të tyre gjëra me kaq rëndësi”.
Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, Drejtor i Arkivave theksoi se “Musineja frymëzon shumë, një atdhetare intelektuale qe nuk e ulte kokën përballë asgjëje. Dhe detyra jonë është që figura të tilla t’i sjellim tek qytetarët në këtë formë, sidomos tek të rinjtë në hapësira të tilla. Uroj që kjo ekspozitë me dorëshkrime të vjetra të kthehet në frymëzim”.
Studiuesja Persida Asllani është ndër ato studiuese që ke hedhur shumë dritë mbi jetën dhe veprën e Kokalarit.
“Ajo bëri bashkë shumë studiues dhe institucione disa vite më parë në Bibliotekën Kombëtare. Kënaqësi dhe surprizë që këtë shkurt kur mendonim se nuk do të mund të kishte më asgjë të re për Musinenë, erdhën këto akte të konferencës që u mbajt në Tiranë. Një libër me shumë vlerë…dhe për mua më shumë rëndësi sepse ka qenë një nga projektet që kam pasur më shumë për zemër”, tha Asllani.
E pranishme në këtë event publik në hapësirën e ekspozitave në Kalanë e Tiranës, stërmbesa e Kolarit, Linda Kokalari theksoi se “unë flas përherë me shumë emocion për me të veçantën e familjes sonë dhe është më e spikatura ndaj qëndresës së diktaturës. Por mënyra më e mirë për ta bërë të njohur është futja e figurës së saj në kurrikulat shkollore sepse duhet ta njohin që fëmijë”.
Krahas ekspozimit të dokumenteve origjinale, në Kalanë e Tiranës cilido qytetar do të mund të shohë edhe disa fotografi dhe dokumente të tjera të persekutimi të Kokalarit, ekspozitë e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.
Piro Misha, Drejtor i Bibliotekës Kombëtare tha se “Kokalari është një nga figurat emblematike të vendit dhe me vjen mirë që jemi bashkë disa institucione për ta kujtuar përmes kësaj ekspozite në një hapësirë publike”.
Dokumentet origjinale të ekspozuara nga AQSH në Kalanë e Tiranës janë prej atyre shumë personale, pasaporta dhe dëftesa e nxënësit, në dorëshkrime të librit të saj “Jeta ime universitare”, temën e diplomës në La Sapienza mbi Naim Frashërin, dorëshkrim i një studimi për Ali Pashë Tepelenën dhe disa dhjetra këngë, legjenda të mbledhura ndër vite; përralla të shkruara prej vetë Kokalarit e deri në letërkëmbime e shënime të përditshmërisë. / atsh / KultPlus.com