29 Janar, 2020 - 3:00 pm
Përmes një ekspozitë janë shpalosur botimet e para të veprave origjinale të Ismail Kadaresë, kjo me synimin që të shqyrtohet evolucioni i publikimeve të autorit. Në këtë mënyrë edhe është shënuar në Tiranë 84-vjetori i lindjes së shkrimtarit.
Ekspozita “Ekskurs në botimet dhe në edicionet e para të autorit 1954 – 2018” u hap të martën në Kalanë e Tiranës dhe do të qëndrojë aty në dispozicion të publikut deri më 31 janar. Rindërtimi i kësaj diakronie të gjatë kohore të procesit krijues e botues kërkon të hedhë dritë mbi stadet e botimeve të autorit, të vrojtuara këto në kontekste të ndryshme politiko-kulturore nga regjimi diktatorial deri në demokracinë liberale.
Sipas kuratores së ekspozitës, Ana Shkreli, ekspozita “Ekskurs në botimet dhe në edicionet e para të autorit 1954-2018” është para së gjithash një ekspozitë që në kremtimin e 84-vjetorit të Ismail Kadaresë mëton të shqyrtojë evolucionin e publikimeve të autorit dhe të hedhë dritë mbi stadet e botimeve, të vrojtuara këto në kontekste të ndryshme politiko-kulturore. “Ky projekt paraqet vështirësi jo të vogla për shkak të vëllimit të madh të veprave të shtypura, por dhe për evolucionin atipik të shkrimeve të Kadaresë ndër vite, të shënjuara nga ribotime, të cilat bartin ndryshime tekstore me rëndësi artistike dhe stilistike. Afërmendsh këto ndryshime shprehin vullnetin përfundimtar të autorit, tashmë i lirë nga censura e autocensura. Veçse duhet thënë që secila prej veprave, e pikasur në edicionin e vet të parë, i jep dorë lexuesit të ndërmend jo vetëm një hartë më të mirë të procesit krijues të Kadaresë, por sidomos, duke shqyrtuar diakroninë e këtyre edicioneve në shtratin e vet politiko-kulturor, mund të dalin në sipërfaqe të dhëna mbi disa zgjedhje të autorit, të cilat vështirë të kenë qenë fryte rastësore”, shkruan ajo në konceptin kuratorial.
Vizitorit të kësaj ekspozite, i gjendur përballë evolucionit kontekstual të korpusit parak, ka gjasa t’i vijnë vetiu do pyetje, të cilat mund t’ia mprehin shqisën e pikasjes së këtyre përkimeve. Gjithashtu në mendjen e vizitorit do të ravijëzohen temat kryesore, që kanë ndjekur autorin po aq sa dhe janë ndjekur prej tij, si prania e vijueshme e dinozaurit të gurtë të Gjirokastrës, metafora shekspiriane, shkrimet e angazhuara letrare ose eseistike mbi Kosovën e plot motive të tjera. “Pasuria letrare e shfaqur rrok një periudhë prej 6 dekadash e po ashtu ajo ngërthen edhe katër stade të rëndësishme të kulturës së botimeve shqiptare: atë të pasluftës, periudhën e Revolucionit Kulturor, postnëntëdhjetën dhe së fundi modelin e industrisë së botimeve, i cili u përgjigjet përherë e më shumë rregullave të një tregu të lirë. Vështirë se ndonjë autor tjetër të jetë përfaqësues sa Kadareja i këtij rrugëtimi artistik të publikimit shqip. Për vizitorin do të mjaftojë qoftë dhe një vështrim i pjerrtë mbi grafikën e botimeve për të pikasur fill pasqyrimin e periudhave të ndryshme historike në editorinë shqiptare”, thuhet më tutje në konceptin kuratorial.
Përmbledhje poetike të hershme si “Përse mendohen këto male” paraqiten nga ballina me një ligjërim artistik prej pllakati, ndërsa “Dasma”, për shembull, e botuar së pari në formë libri nga shtëpia botuese “Rilindja” e Kosovës, ballina e së cilës është realizuar nga piktori i shquar Rexhep Ferri, dëshmon menjëherë dallimin e madh mes shkollës jugosllave dhe traditës shqiptare të periudhës, që u takon arteve pamore. Gjithashtu në disa prej librave vizitori do të gjejë të evidentuara ballinat e disa artistëve të rëndësishëm që i kanë punuar, si: Safo Marko, Zef Shoshi, Ksenofon Dilo, Ardian Karakashi e të tjerë, punime këto mirëfilli artistike me përkushtim profesionistësh, të cilat i japin artit grafik libror dinjitetin e nevojshëm të një elementi paratekstual. Duke u shtyrë më tej në kronologjinë e eksponateve, ajo çka bie fort në sy edhe grafikisht është djerrimi dhe shterpja e këtyre ballinave, si edhe tkurrja e thuajse çdo elementi stilistizues në to.
Shkreli shkruan se pas viteve ’90-a na pret një periudhë e harlisur jo vetëm sa u takon përfaqësuesve të ndryshëm botues të Kadaresë (nga Naim Frashëri, te Fayard, Çabej e më pas Onufri), por në kërkimet e bëra për mbledhjen dhe në renditjen e këtij korpusi vumë re se botimet fill pas ’90-s janë dhe më të vështirat për t’u gjurmuar.
Libri në vetvete në këtë ekspozitë sillet si simbol i disa kthesave të rëndësishme të kulturës sonë, por pavarësisht të gjithave koleksioni ynë është fotografia fëmijërore e gjithë asaj forme të mirërritur jete, që ka krijuar Ismail Kadareja. / KultPlus.com