23 Tetor, 2018 - 1:00 pm
Për herë të parë u ekspozuan për publikun, një koleksion unik librash, hartash dhe gravurash të vjetra të shekujve XV – XIX shkruar për Shqipërinë dhe shqiptarët, pjesë e koleksionit privat të Ylli Sulës.
Ekspozita e titulluar “Rrëfimet e një koleksioni albanologjik: Shqiptarët dhe Shqipëria nga Skënderbeu tek Pavarësia” u çel në Muzeun Historik .
Ai tregon se librat, gravurat dhe hartat ekspozohen për herë të parë, por ka prej tyre botime që fillojnë që nga viti 1493. Për ekspozitën ai tregon se janë libra që janë shkruar nga autorë të huaj në gjuhë të ndryshme.
“Ekspozita për mua është e rëndësishme, sepse është një koleksion i cili më rezulton që është unik, dhe janë libra të vjetër të shkruar për Shqipërinë dhe shqiptarët në gjuhë të ndryshme nga autorë të huaj. Fillojnë nga 1493 deri në fillim të shekullit të njëzet, libra, harta dhe gravura”, pohon koleksionisti Ylli Sula.
Ai tregon se në punën e tij që ka 25 vjet që vijon si koleksionist bën shumë kërkime për të koleksionuar materiale të rëndësishme dhe me vlera. “Unë kërkoj për koleksionet dhe i mbledh ato. Kur bëj kërkime unë i verifikoj nëse janë origjinale dhe më pas edhe i blej për koleksionin. Ky është koleksioni im privat dhe është hera e parë që bëhet ekspozimi i tij. Unë kam 25 vjet që mbledh dhe koleksionoj” tregon më tej koleksionisti Ylli Sula.
Ekspozita në Muzeun Historik Kombëtar vjen edhe në vijim të veprimtarive të tjera që janë zhvilluar për publikun. Nuk janë të pakta ekspozitat që hapen në mjediset e MHK, por këtë herë janë materiale të rralla, që kanë rëndësi për historinë e Shqipërisë./ KultPlus.com