Eliza Hoxha gati për Bienalen e Venedikut

21 Maj, 2018 - 12:38 pm

Po afrohet dita e hapjes zyrtare të Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Arkitekturës në Venecia e cila këtë vit ka edicionin e 16-të. Përveç Eliza Hoxhës dhe ekipit, personalitete të shumta priten të jenë atje në hapje e poashtu edhe gazetar ë nga mediet e ndryshme. Duke e pritur momentin e hapjes dhe shpalosjen vizuale të temës të Pavijonit “ The city is everywhere” apo qyteti është gjithkund që shpalos vitet e 90-ta në Kosovë, lë të kujtojmë pak rrugëtimin e Elizës deri në bienale.

Për Eliza Hoxhën nuk është hera e parë që përballet me bienalen dhe me procesin e saj. Për shumë kë që nuk e ka ditur, ajo ishte ftuar në vitin 2009 nga Andi Tepelena – kurator që me një grup artistësh nga Shqipëria të jetë pjesë e aktiviteteve kolaterale nën ombrellën e Artkontakt. Atë kohë, as Shqipëria e as Kosova nuk kishin pavijon të tyre.

Nën temën kryesore të edicionit të CROSSING – Eliza Hoxha ishte prezantuar me një projekt ( BRIDGING THE 2) që shtjellonte urën e Mitrovicës dhe rrokullisjen e saj në kuptimin logjik, psikologjik dhe fizik – duke qenë që ajo atëkohë ishte një urë që nuk lidhte asgjë, ishte pikë legjitimimi, konflikti, kontrolli përveç rolit të saj primar – URË.

Ajo kishte hulumtuar në veri dhe në jug për të kuptuar nga vet qytetarët emocionin dhe relacionin e tyre me urën. Në Venedik kishte përballur mendimet e qytetarëve dhe njëkohësisht emocionet peng dhe kujtesën kolektive për veriun dhe jugun e cila shfaqej në instalacion me fotografi të varura nga momente, hapësira dhe elemente identifikuese të veriut dhe jugut.

Për ti lënë vend më pas hapësirës së ndërmjetme lumit – si hapësirë e lirë që duhej të ishte por që në fakt ishte kthyer në kufi për të dy etninë shqiptarët dhe serbët. Por ndërkohë erdhi momenti që edhe Kosova të këtë Pavijonin e saj. Më këtë rast Eliza u ftua të jetë në juri bashkë me disa kolegë të tjerë arkitekt për të përzgjedhur nga 3 të nominuar – përfaqësuesin e parë të Kosovës në Biennalen e Venedikut – Përparim Rama.

Dy vite më vonë ajo vet kishte qenë njëra nga të nominuarat për ta përfaqësuar Kosovën, kohë kjo kur arkitekti Gëzim Paqarizi kishte përfaqësuar Kosovën.

4 vite më vonë ajo është në Venedik tani për ta shpalos rrëfimin e Kosovës në mënyrën e vet. E kemi dëgjuar e lexuar Elizën tash herë të flet për temën dhe vitet që shtjellon ajo dhe le të shohim se çfarë forme ka marr ky rrëfim në hapësirë në Venedik.

Përfaqësimet në aktivitete të këtilla rrisin hapësirën dialoguese dhe krijojnë mundësi për një imazh tjetër të Kosovës të shpalosur nga platforma kulturore. Dhe është pikërisht kjo platformë – kultura që bashkë me sportin, që Kosovës po ia ndërtojnë një imazh të pasur dhe me vlerë – duke ndërtuar ura të reja diplomatike për të./KultPlus.com

Të ngjajshme