19 Qershor, 2019 - 10:10 pm
Pas debutimit të suksesshëm në festivalin FemArt, ekspozita është shfaqur për herë të dytë në Muzeun kombëtar të Kosovës, në nder të ditës ndërkombëtare të eliminimit të dhunës seksuale, shkruan KultPlus.
Ekspozita e Elizës na qon në një botë të errët të historive të dhimbshme dhe me plot viktima. Në fjalën hyrëse Feride Rashiti, nga Qendra kosovare për Reabilitim, ka treguar sfidat që e përcjellin në punën e saj me viktimat e dhumës seksuale.
“Zeri i tyre i mekur i hidhëruar dhe i padëgjuar ishte lënë në harresë. Kemi pasur mundësi të gjithë ne që të flasim e të komunikojmë me këto gra pa e ditur që ato po tregojnë, ndoshta jo me gojë e me zë, por me gjeste e me mimika historinë e tyre. Sot po i japim fund neglizhimit duke u bërë ne të gjithë fytyra e këtyre grave” ka thënë Rushiti.
Kurse Eliza, e emocionuar para të pranishmëve, ka treguar për punën e saj të gjatë si aktiviste, duke e përdorur njëkohësisht artin e saj në favor të lëvizjeve shoqërore.
“Kjo ekspozitë nuk sjellë shumë gëzim por na bënë të reflektojmë. Këto janë vetëm copëza të historive të cilat janë injoruar për gati 20 vite. Heshtja e këngës, një projekt muzikor i cili ka filluar për t’i dhënë fund heshtjes, por ka qenë i mjaftueshëm, Arti është mjet politik, prandaj kjo ekspozitë është një thirrje për njohjen e dinjitetit të viktimave të dhunës. Mos u mundoni vetëm ta njihni historinë e tyre por edhe t’i kuptoni ato”, u shpreh Eliza e emocionuar dhe me zërin që i dridhej.
Historitë e grave të dhunuara, të shkruara mbi xham, i ftojnë të gjithë adhuruesit e artit që në një mënyrë alegorike ta përvetësojnë dhimbjen, tmerrin dhe tragjedinë duke u bërë fytyra e këtyre historive. Duke i ftuar që te qëndrojnë jo vetëm pas historive si të tilla por edhe pas grave të dhunuara, në mbështetje dhe duke iu dhënë kurajo që të mos ta mbajnë apo ta fshehin këtë tragjedi të tmerrshme.
Përkrah historisë së zonjës Vasfije Krasniqi Goodman, qëndrojnë historitë e shumë grave të tjera të cilat kanë thyer stigmat dhe kanë gjetur guximin që ta ndajnë me të gjithë historinë e tyre nga lufta në Kosovë./RronaJaka/KultPlus.com