11 Shkurt, 2018 - 10:30 pm
Përmes nëntëmbedhjetë fotografive, Eliza ka bërë bashkë katër periudha të rrugëtimit të Kosovës drejt pavarësisë.
Gili Hoxhaj
Këto ditë qyteti i Prishtinës vetëm se ka filluar të mbushet me zbukurime e logo që po sjellin një atmosferë festive për dhjetë vite pavarësi. Po me këtë rast, artistja Eliza Hoxha, në mesin e shumë mysafirëve e artdashësve sonte prezantoi ekspozitën personale ‘’Midis ëndrrës dhe realitetit’’, shkruan KultPlus.
Por këto rrugë që sonte mbajnë logon e dhjetëvjetorit të pavarësisë, fotografitë e Elizës i tregonin në në një frymë krejtësisht tjetër, në frymën e protestave, e përpjekjeve të pareshtuara për të mbrojtur gjuhën, kulturën dhe vendin. Fotografitë e saj janë një rrugëtim në vitet e 90’ta, atëherë kur duhej guxim edhe për të ëndërruar për lirinë. Në fillim të katalogut të saj shkruhej se vitet e 90’ta janë përjashtim, protestë, dhunë, vdekje, dhimbje, mungesë, pamundësi, mjegull, përpjekje, paralelizëm, mobilizim, solidarizim, ëndërr, dëshirë, vullnet, mision, qëllim. Këto përkufizime të autores ndeshen më së miri në fotografitë që ajo i kishte sjellë nga ajo periudhë. Përmes tyre, cildo që i sheh, e kujton të kaluaren e fatin e njerëzve të këtij shteti.
Përmes nëntëmbedhjetë fotografive, Eliza ka bërë bashkë katër periudha të rrugëtimit të Kosovës drejt pavarësisë. Eliza përmes këtyre fotografive i sjellë secilit përpa syve kujtimet e rrugës së gjatë nëpër të cilën ata kanë ecur. Fillimisht fotografitë e saj shpalosin vitet e 90’ta, për të kaluar te koha e të qenit refugjat, nga fytyrat e përhumbura të fëmijëve në një kamp refugjatësh në Maqedoni, ajo kalon tek fytyrat e buzëqeshura të fëmijëve në ditët e clirimit, e dhembjen e reflekton në shtëpitë e djegura e trupave të parë të gjetur të personave të zhdukur gjatë luftës. Ndërsa periudha e fundit që ajo e prek është pikërisht tek momentet e pavarësisë së Kosovës.
Me himnin shtetëror të Kosovës nisi hapja edhe e kësaj ekspozite, për t’u shoqëruar më pas me këngët e vet këngëtares. Kjo ekspozitë u hap me fjalët e Ardian Arifaj, këshilltar i presidentit Hashim Thaci, i cili tha se ndihet i kënaqëur që është pjesë e ekspozitës së Elizës, e cila që në titull arrin ta identifikoj ëndrrën e të gjithëve.
‘’Vet titulli i ekspozitës së Elizës është dicka që identifikohet me të gjithë neve, që identifikohet me Kosovën, pra është dicka që e kemi ëndërruar gjithmonë dhe është moment historik me e pa ëndrrën e realizuar dhe ta bëjmë realizimin e kësaj ëndrre sa më të mirë për të gjithë ne’’, tha Arifaj.
‘’Eliza është shembull tipik i asaj që ne shpesh e permendim në art, themi se ‘’Arti ëshë një pasqyrë e shoqërisë në të cilën jetojmë ndërsa artisti është zëdhenës shpirtëror i asaj shoqërie’’, kjo është një ekspozitë me koncept të vecantë, për shkak se i ka rrenjët para shumë viteve’’, kështu u shpreh skulptori dhe artisti, Luan Mulliqi, i cili e cilësoi Elizën si një artiste e vecantë, me intelekt të madh krijues. Ai po ashtu e cilësoi si hap tejet të rëndësishëm guximin e saj për tu ballafaquar me shumë tema, projektet e saj për njerëzit e zhdukur, për gratë e dhunuara dhe projektin e saj me këngën ‘’Himni im’’, të cilin e quan si ndërprerje e një ëndrre të menduar me flamurin kombëtar që vazhdohet me një ëndërr tjetër, si sakrificë për ndërtimin e shtetit të Kosovës.
Eliza tashmë e dëshmuar në shumë fusha të artit, si në muzikë , ashtu në shkrime e artin pamor, ajo ka prekur ëndrrat dhe realitetin e këtij shteti. Pranë derës së Galerisë së Ministrisë, ku edhe u hap kjo ekspozitë, qëndronin një grup ushtarësh të KFOR-it, të tillë ushtarë kishte edhe në fotografitë e Elizës të shkrepura dy dedaka më parë. Derisa në fotografitë e saj të mëhershme në shumicen e fotografive të protestave, duart e protestuesve janë të zëna me fotografi të flamurit të Shqipërisë, ajo derisa në këtë ekspozitë e sjellë periudhen e katërt, atë të pavarësisë, aty edhe i bashkon të dy flamujt, atë të Kosovës, dhe atë të Shqipërisë.
‘’Kosova e vuan një gjë shumë të rëndësishme që është perjashtimi sepse ne akoma s’jemi mësuar ta kuptojmë tjetrin pavarësisht bindjeve dhe perceptimeve të tjera që mund t’i ketë, të identitetit tjetër dhe grupacioneve të tjera që u përkasin. Këtë sfidë e shoh jo vetëm prej kur Kosova është shtet por është më e theksuar tashmë që nga puna e flamurit se a je kosovar apo shqiptar e deri te rrefimet më banale që shpesh i dëgjojmë edhe në sferen publike’’, u shpreh Eliza në hapjen e kësaj ekspozite.
Eliza pati edhe një mesazh lidhur me kremtimin e jubileut të parë të dhjetëvjetorit të Kosovës. Ajo tha se sot është absurd të dëgjohet se nuk kemi arsye për të festuar, pasi që kemi festuar edhe kur kemi qenë në gjendje shumë më të vështirë, kur nuk na është lejuar as të flasim e të këndojmë në gjuhën tonë.
‘’Rreth kremtimit të Pavarësisë së Kosovës, kam dëgjuar shumë që thonë se nuk kemi nevojë të festojmë dhe s’kemi arsye që të festojmë pasi që kemi shumë probleme, po është e vertetë, por unë mendoj që ne kemi festuar gjithmonë, edhe në momentet kur kemi qenë edhe më keq’’, u shpreh Eliza Hoxha në ekspozitën e saj.
‘’Kosovës i mungon dashuria për vendin, nuk ka rëndësi flamuri, nuk ka rëndësi as himni, nuk kanë rëndësi fare këto tjerat derisa ne nuk i japim dashuri vendit tonë, e nëse i japim dashni, cdo petk ka kuptim, pastaj, qoftë flamuri i ri apo flamuri kombëtar që e kemi me veti’’, tha krejt në fund Eliza Hoxha, që fotografitë i cilësoi si një reflektim i ëndrrave të brezit të saj, e përpjekjeve të shumë njerëzve që më nuk janë.
Edhe pas shumë sukseseve që ka lënë pas, këtë vit Eliza Hoxha do ta përfaqësoj pavilionin e Kosovës në Bienalen e Venedikut për arkitekturë. Kjo ekspozitë e cila u organizua nën patronatin e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaci, do të qëndroj e hapur përgjatë ditëve festive në Galerinë e Ministrisë. /KultPlus.com