28 Qershor, 2018 - 2:28 pm
Alberina Haxhijaj
Kreatorja Besa Neziri Rugova, e cila jeton në New York dhe njihet për stilin e veçantë që kanë koleksionet e saj, ka zgjedhur që përmes një videoje të paraqes kreacionet e fundit nën sloganin “ëmbël”, shkruan KultPlus.
Videoja është një film i shkurtër që është xhiruar gjatë fotosesionit të fundit në New York e që i paraprinë fotografive të koleksionit të ri.
Kreatorja e cila jeton në New York por që dashurinë dhe shpirtin e mbanë të lidhur fortë me vendlindjen e saj, tregoi për KultPlus se elementet tradicionale vërehen edhe në këtë koleksion ashtu si në koleksionet e saj të kaluara.
“Edhe kësaj radhe kam qëndruar brenda elementeve estetike që e karakterizojnë stilin tim. Bërthamë e çdo koleksioni që krijoj janë kostumet kombëtare, e që tashmë janë bërë edhe vulë e brendit “besë””, tha ajo.
Në këtë koleksion vërehet edhe guximin që ka marrë kreatorja duke luajtur më shumë me forma dhe me kontraste të materialeve.
“Si gjithmonë, në veshjet e mia theksoj sensibilitetin femëror, i cili shprehet si në prerje dhe silueta e po ashtu edhe në materiale. Do të vëreni mitanin si inspirim, mëngët e fryra dhe jakat me plise, pastaj xhubletën të cilën e përsëris në çdo koleksion por gjithmonë i jap forma të reja, pa ja humbur esencën”, u shpreh ajo.
Videoja është bërë në bashkëpunim me fotografin Arton Sefa, me të cilin po punon kreatorja kohëve të fundit si dhe me modelen Erjona Ala.
“Me Artonin kemi gjetur të njëjtën energji pune që është e rrallë dhe e pazëvendësueshme, ndërsa kësaj radhe muzë e kampanjës është Erjona Ala, modele shqiptare me suksese ndërkombëtar, e cila prezanton shumë mirë gruan për të cilën dizajnoj. Erjona me energjinë dhe sharmin e saj i jep shpirt videos dhe veshjeve”, u shpreh kreatorja Besa Neziri.
Për të kompletuar ketë koncept mbi të cilin është krijuar koleksioni dhe videoja e fotosesionit është përdorur edhe kënga “ëmbël” e Vlashent Satës./ KultPlus.com