18 Nëntor, 2018 - 9:00 pm
Gili Hoxhaj
Ekspozita ndërkombëtare “Street life Balkans”, vjen si përkujtim dhe nderim i rrugës plot art e përkushtim ndaj fotografisë së mjeshtrit të madh Gjon Milli. Kjo ekspozitë përmbledhë 30 emra të njohur të Ballkanit, të cilët tash e disa vite i janë dedikuar fotografisë, shkruan KultPlus.
“Përveç miqësisë sonë shumë argëtuese, Gjon Mili për mua, përfaqëson një drejtësi të shpirtit dhe qartësisë së mendjes. Unë admiroj ndjenjën e tij të ekonomisë, respektin e tij për mjeshtëri dhe keqardhjen e tij për pretendimet. E gjithë kjo buron nga një personalitet shumë kompleks, plot urtësi filozofike dhe një pasion për masën. Studioja e tij e fundit në rrugën 23, ishte Athina e Nju Jorkut për kaq shumë prej nesh”, kështu thoshte Henri Cartier-Bresson, sikurse dhe shumë miq të tjerë të tij.
Kuratori dhe drejtori artistik Burim Myftiu shprehet se edhe pse Gjon Mili pjesën më të madhe të jetës e kaloi në SHBA, kanë zgjedhur pikërisht vendlindjen e Gjon Milit , Korçën per ekspozitë sepse ai aty e kishte zemrën ndërsa shtoi se përmes kësaj përmbledhje të veprave fotografike, duan ta “ringjallin” mjeshtrin e madh të fotografisë.
““Jeta në rrugët e Ballkanit” lindi si një spontanitet, një ide e Roland Beqiraj që ne, si pasardhës të Gjon Milit, ta vazhdojmë këtë traditë të Korçës, Dardhës, Voskopojës, të mjeshtërve si Shuli, Dhimitri, Sotiri, Kaçuni, Burda.. Nga një ide e tillë lindi kjo ekspozitë ndërkombëtare e fotografisë”, tregon Myftiu për KultPlus.
Ai tutje tregoi se ai dhe Osman Demiri me punën kuratoriale kanë vendosur që kjo përmbledhje autorësh nga vendet e Ballkanit të ketë një koncept të përbashkët nën titullin “Momenti Zen, një përkushtim absolut ”, i cili tenton që fotografitë që do përzgjedhën, të jetë prezent jo vetëm subjekti, por edhe vetë autori, energjia e të cilit rrezaton nga ajo.
“Pas një pune me përkushtim me autorë nga vendi dhe rajoni, arritëm të realizojmë këtë paraqitje fotografike monokromatike, e cila do të na shërbejë si uverturë në idenë tonë për tu transformuar në festival të fotografisë” , thotë tutje kuratori Myftiu, ndërsa thotë se shprehet i lumtur që fotografia shqiptare ka një traditë dhe trashëgimi unike, jo vetëm si një vlerë historike, por edhe si arritje artistike.
Myftiu pohon se tradita dëshmohet pikërisht tek Fototeka Marubi , për të cilën thotë se është një thesar kombëtar.
“Falënderoj, ata që e mbollën farën e fotografisë në këto troje dhe ata që do ta vazhdojnë këtë traditë”, tha krejt në fund ai.
Fotografët pjesëmarrës janë: Burhan Ahmeti nga Maqedonia, Merih Akogul nga Turqia, Boro Arsovski nga Maqedonia, Vasilis Artikos nga Greqia, Fatih Balkan nga Turqia, Ernest Baba nga Shqipëria, Goran Boricic nga Mali i Zi, Enver Bylykbashi nga Kosova, Haris Calkic nga Bosnia dhe Herzegovina, Igor Coko nga Serbia , Fisnik Dobreci nga Mali i Zi, Ardian Fezollari nga Shqipëria, Ahmed Hadrovic nga Bosnia dhe Herzegovina, Dash Izairi nga Maqedonia, Amer Kapetanovic nga Bosnia dhe Herzegovina, Ognjen Karabegovic nga Kroacia, Olga Karlovac nga Kroacia, Diana Maria nga Rumania, Zoran Marinovic nga Kroacia, Aleksander Mogilo nga Bullgaria, Blaz Poljansek nga Sllovenia, Midhat Poturovic nga Bosnia dhe Herzegovina, Vasil Qesari nga Shqipëria, Hazir Reka nga Kosova, Serkan Turac nga Turqia, Armand Sallabanda nga Shqipëria, Naim Shala nga Kosova, Gent Shkullaku dhe Rozafa Shpuza nga Shqipëria, si dhe Imre Szabó nga Serbia.
Ekspozita do hapet për publikun ditën e shtunë, datë 24 nëntor, ora 19:00 dhe do qëndroje e hapur deri në fund të muajit dhjetor 2018./ KultPlus.com