13 Shkurt, 2024 - 2:11 pm
Artisti shqiptar Ardian Isufi, ka përgatitur një ekspozitë vetjake në mjediset e Teatrit Kursaal, në Bari të Italisë. Ekspozita është kuruar nga Gaetano Centrone ndërsa projekti drejtohet nga Elton Koritari.
E titulluar “Ëndërr metalurgjike”, ekspozita vjen si një kurorëzim i punës së realizuar në ekspozitat e fundit “Fraktura” (ndërhyrje specifike në burgun e Spaçit, Shqipëri 2023) dhe “Konspiracioni i Tiranës” (Galeria Kombëtare e Arteve të Kosovës, Prishtinë, 2022).
Kjo ekspozitë synon të rikthejë në mënyrë gjithëpërfshirëse kërkimin e artistit, figurën e tij dhe veprën e gjerë, dhe në të njëjtën kohë të nënvizojë pozicionin e urës me Lindjen që Pulia mban historikisht në Mesdhe.
“Ekspozita e Barit është më përfaqësuese dhe domethënëse se kurrë, duke riinterpretuar marrëdhëniet kulturore midis Italisë dhe Shqipërisë në dy brigjet e Adriatikut”, shkruan Arte.it
Ekspozita konsiston në një instalacion të lëvizshëm gjë që i përshtatet sallave të Teatrit Kursaal, i rinovuar së fundmi. Ardian Isufi ka marrë pjesë në shumë aktivitete ekspozuese kombëtare dhe ndërkombëtare, nga Evropa në Kinë e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është profesor në Universitetin e Arteve të Tiranës./ atsh / KultPlus.com