31 Dhjetor, 2018 - 3:15 pm
Pothujase shumica e dizajnerëve të Kosovës kanë dalë nga Akademia Evolucion që udhëhiqet nga disenjatorja shqiptare Enkelejda Shatri. E njëjta tash e 15 vite ka edhe atelenë e saj, në të cilën edhe vishen shumë figura të rëndësishme të Kosovës, dhe jo vetëm. Në intervistën e fundvitit të dhënë për KultPlus, ajo ka treguar për fillet saj në këtë biznes, e cila ka shpjeguar se krejt këtë punë e ka nisur e vetme. Ajo poashtu ka folur edhe për dizajnerët e tjerë kosovarë, e cila ka specifikuar edhe faktin se nëse mund të krahasohen me dizajnerët e jashtëm. ”Ashtu sikurse në jetë, ndjejmë frikë, kërkojmë guximin, japim dashuri për të mbërritur te suksesi”, ka thënë mes të tjerash Shatri.
Ardianë Pajaziti
KultPlus: Enkelejda Shatri, ky nuk eshtë vetëm emri dhe mbiemri i juaj që tregon identitetin tuaj, por është edhe brendi juaj në fushën e dizajnit që e prezantoni tash e shumë vite. Prapa këtij emri çka të kujton më shumë përgjatë gjithë këtyre viteve, frikë, guxim, dashuri, sukses apo dhimbje?
Enkelejda Shatri: Ashtu sikur e thatë edhe ju, emri dhe mbiemri im nuk janë vetëm identiteti im por edhe brendi im që unë e prezantoj prej 14 vjetësh. Dhe ky brend është produkti i një pune dhe dedikimi të madh. Karriera dhe profesioni janë pjesë e pandashme e jetës dhe përditshmërisë së një njeriu. Ashtu sikurse në jetë, ndjejmë frikë, kërkojmë guximin, japim dashuri për të mbërritur te suksesi, por ndonjëherë shkojmë drejt ndonjë dështimi të ndonjë procesi i cili shoqërohet me dhimbje. Por tek unë, më shumë ka prodominuar guximi i përzierë me dashurinë dhe pasionin për punën, të cilat më kanë çuar drejt suksesit.
KultPlus: Me sa njerëz e keni nisur fillimisht punën, apo keni qenë krejt vetëm?
Enkelejda Shatri:Kam qënë krejt e vetme dhe kam pasur një presion të madh në vetvete të cilin e kam përjetuar vet. Edhe pse s’më ka munguar mbështetja nga familja ime, sidomos nga Faiku, burri im. Të punuarit vet më ka mësuar shumë procese dhe më ka ndihmuar të krijoj një siguri në vetvete përsa i përket profesionit. Por kjo periudhë ka qenë vetem 4-5 muaj, sepse, pastaj lindi nevoja të rris stafin për shkak të kërkesës së madhe nga klientela.
KultPlus: Kurse tashti, përpos atelesë tuaj keni arritur të ngritni në këmbë edhe shkollën e dizajnit Akademinë Evolucion, dhe puna në përgjithësi në Ballkan është e vështire deri te prekja e suksesit, të besohet, apo të duket një ëndërr?
Enkelejda Shatri: Ështe e vërtetë që në Ballkan të ndërtosh një biznes është e vështirë, sepse nuk ke asnjë ndihmë, përpara 13 vjetësh ekzistonte edhe një pengesë tjetër të bërit biznes nga një femër. Unë nuk jam njëri që ëndërroj. Dhe zakonisht nuk më duket asnjë gjë ëndërr, sepse cdo gjë që e kamë bërë në jetë ka ardhur nga një punë shumë e madhe. Të ndërtoje një shkollë të artit dhe të dizajnit përpara 13 viteve nuk mund të them që ka qenë tabu, por profesionet që mesohen dhe studiohen në Akademi, si Dizajni i Modës, Dizajni i Komunikimit dhe ai Enterier kanë qënë të pakonceptueshme nga opinion në përgjithësi, që mund të studjoheshin në nivelin bachelor dhe aq më shumë master. U desh shumë mund, përkushtim, ide të reja dhe punë në grup me profesorë dhe studentë për të mbërritur suksesin e Akademisë. Pra, deri sa nuk ka qenë e lehtë të ndërtohet emri dhe suksesi i Akademisë, nuk mund të them që më duket si ëndërr, përkundrazi, kur e bëj një rezyme të 13 viteve Akademi në mendjen time, them që sfidat më kanë shkundur dhe nuk më kanë lënë të përjetoj një ëndërr.
KultPlus: Në dukje jeni një grua me shumë stil, një grua që reflekton siguri, forcë dhe kreativitet, ndodhë që edhe kjo grua e fuqishme ndonjëherë të ndihet e dobët, e lodhur?
Enkelejda Shatri: Shprehjen e lodhur nuk e pranoj kurrë. Edhe pse nuk e mohoj që në ndonjë kohë të caktuar jamë ndier e lodhur, por jo nga puna por nga shumë situata që jam gjendur përballë tyre, dhe që u desh ti kapërceja. Ndërsa sa i përket dobësisë, se kuptoj mirë si shprehje (po e them në mënyrë figurative). Të gjithë njerëzit kanë dobësi, mendoj unë. Por unë i di dobësitë e mia dhe kam mësuar ti menaxhoj ato.
KultPlus: Shumë fytyra publike në Kosovë dhe më gjerë vishen me brendin tuaj, pse mendoni që janë të pasionuar pas krijimeve tua?
Enkelejda Shatri: Njerëzit VIP ose fyryrat publike siç ju i quani, blejn dhe stilohen tek unë për shumë arsye. Por të mos harrojmë një gjë që ata jane pjesa që më së shumti eksperimentojnë dhe që në të njëjtën kohë tek çdo stilist kërkojnë diçka ndryshe. Kjo është arsyeja pse veshin veshje të stilizuara tek unë dhe te dizajnerët e tjerë.
KultPlus: I bën të duken njerëzit më shumë me ngjyra, apo me ngjyra të errëta?
Enkelejda Shatri: Në shumicën e rasteve luftoj me njerëzit që të dalin nga monotonia e ngjyrave të errëta, sepse ato shpesh herë reflektojnë negativisht në jetën dhe përditshmërinë e tyre. Kjo është një këshillë që e japin edhe psikologët. Unë jam një person i qeshur dhe i dua ngjyrat, dhe për këtë arsye ja sygjeroj edhe klientelës të eksperimentojnë në ngjyra dhe në forma. Në shumicën e rasteve ndihem mirë, kur edhe ata ndihen mirë, pas ndryshimeve që kanë bërë në ngjyra dhe stil.
KultPlus: E ndjen se tashmë fustanat tuaj kanë një identitet, apo luani edhe më me stile?
Enkelejda Shatri: Varet shumë nga momentet e mia kur dizajnoj dhe dedikimi i koleksioneve. Të them të drejtën kam menduar që në dizajnet e mia unë luaj me stil dhe forma, por nga kritikat e marra deri tani, në dizajnet e mia vihet re një identitet në disa elemente.
KultPlus: Në Kosovë tashmë ka shumë dizajnerë që veprojnë, secili sipas shijes dhe mënyrës së vet, të pëlqejnë dizajnerët kosovarë?
Enkelejda Shatri: Mendoj që këtë pyetje nuk duhet të ma bëni, sepse një përqindje e madhe e dizajnerëve në Kosovë janë produkt i Akademisë që unë e drejtoj. Duke filluar nga Valdrin Sahiti, Flora Loshi të cilët janë edhe profesorë në Akademine Evolucion, por edhe Drenusha Xharra, Fjolla Nila e shumë e shumë të tjerë që kanë formuar brendet e tyre, ose që punojnë për brende të tjera. Dhe si rrjedhojë e kësaj, normalisht që më pelqejnë, dhe për suksesin e tyre më bëjnë krenarë, mua dhe Akademinë Evolucion. Por të mos harroj pa përmendur që në Kosovë ka shumë dizajnerë të rinjë që janë shumë të talentuar por për shkak të mungesës së financave ata punojne për brende ose kompani të tjera dhe nuk mund të punojnë për emrat e tyre. Të them të drejten më vjen keq për ta, sepse nuk kanë mundësi të shprehin kreativitetin e tyre, por jam e bindur që edhe shumë emra të rinj dhe të suksesshëm do të shihni në treg. Këtë e them me bindje, sepse e njoh kapacitetin dhe kreativitetin e tyre. Mendoj, që shteti duhet të bëjë më shumë për ta, sepse është një fushë ku ka mundësi të zhvillohet një industri e madhe në këtë drejtim dhe në të njetën kohë ndihmon në ulje të papunësisë.
KultPlus: Po nëse do të bëje një krahasim me dizajnerët e botës, ku e vlerësoni vetën dhe kolegët tuaj në këtë paralele?
Enkeljda Shatri: Nuk dua të krahasoj vetën, sepse unë jam një person që mbështillem nga modestia, por mund të flas për dizajnerët e tjerë në Kosovë. Një pjesë e madhe e tyre ecin në të njëjtin hap tashmë me dizajnerët në botë, edhe pse nuk është një kohë e madhe që ata janë në treg. Mund të them që në 10 vjetët e fundit kanë marë një hov të madh. Në këtë industri ka shume dizajnerë që janë shumë të mire, si në dizajn edhe në teknikë. Produktet e tyre shiten jo vetëm në Kosovë por edhe jashtë saj, deri në kontinentet më të largëta.
KultPlus: Me cilën veshje dhe në cilin rast je ndjerë në atë pikë, sa ta lakmosh edhe vetën?
Enkelejda Shatri: Ups,…Një pyetje që më bën të mendohem shumë. Nuk do të flas për veshjet të cilat janë bërë publike në media dhe janë përfolur. Por do të përmend një rast që mua më ka bërë të ndihem mirë. Në fillimet e punës sime, kur një kliente, të cilen edhe sot pas 15 vjetesh e kam kliente, më solli një material të bardhë, që unë nuk do ta përdorja për veshje por vetëm për çarçaf, dhe më kerkoi një veshje për një gëzim familjar. E kuptova arsyen e saj, kishte frikë të punonte me material të shtrenjtë, sepse unë sapo kisha filluar punën dhe nuk më njihte mirë. Por unë punova shumë në atë veshje, si nga dizajni edhe nga dekori, sa që ajo mbeti e fascinuar dhe me të vërtetë e veshi po atë fustan në atë festë.
Megjithatë, unë jam ende në kërkim të asaj ndjenje që ju po e citoni, pra ta lakmoj vetëveten. Nuk e di a do të vijë një moment që të lakmoj veten. Dhe besoj që kjo është normale për çdo artist, i cili ndihet mirë për punën kreative që bën, por kërkon shumë punë, dhe perfeksioni dhe kulminacioni nuk ekziston.
KultPlus: Mendimi i kujt fë frikëson?
Enkelejda Shatri: Vetëm i klientelës. Ajo është kritika më e vlefshme.
KultPlus: Keni trashëguar nga dikush këtë dhunti, apo jeni surpriza e familjes?
Enkelejda Shatri: Surpriza e familjes kam qenë vetëm në moshen 10 vjeçare, kur fillova të punoj dhe eksperimentoj në këtë profesion. Por unë e kam trashëguar dhe e kam edukuar veten time me këtë profesion prej gjyshes sime të ndjerë, e cila ka qenë një rrobaqepëse, po edhe një dizajnere shumë e mirë. Prandaj, une nuk jam surprizë e familjes, dhe jam shumë e lumtur që e kam trashëguar këtë dhunti nga gjyshja ime, ku personalitetin dhe punën e saj edhe sot vazhdoj ta adhuroj.
KultPlus: Dhe për fund, me cfarë do të prezantohet Enkelejda Shatri përgjatë vitit 2019?
Enkelejda Shatri: Planet e vitit 2019 veç sa kanë filluar, dhe nga përvoja e mëparshme kam mësuar një gjë, të mos flas për planet, port ë flas vetëm një ditë përpara se të kurorëzohen, sepse, shpesh herë ka dalë diçka që ma ka vështirësuar punën. Kështu që edhe për KultPlus-in, prezantimet për planet e mija për vitin 2019 do të jenë një surprizë e këndshme./KultPlus.com