10 Janar, 2019 - 12:00 pm
Gara për dizajnin më të mirë të organizuar nga Shoqata e Përpunuesve të Drurit në Kosovë, vuri në pah shume punime interesante nga studentë të ndryshëm të cilët morën pjesë, shkruan Ndërtimi.info.
Megjithatë, projekti i cili rrëmbeu çmimin e parë nga kjo garë ishte ai i Erion Bilallit, i cili mori pjesë për herë të parë.
Bazuar në tri kriteret e garës të cilat ishin Realizimi, Inovacioni dhe Dizajni, punimi i Bilallit ka përmbushur të tri pikat, andaj edhe është zgjedhur si punimi fitues.
Për Ndërtimi.info, Bilalli ka treguar se nga ku ka ardhur inspirimi i tij për këtë punim:
“Problematika e identifikuar në jetën e përditshme ka shërbyer si bazë për inspirim dhe krijim të konceptit të produktit. Studentë dhe të punësuar, të fushës së artit por edhe fushave tjera shpeshherë hasin në vështirësi të bartin materialin e tyre për studim. Zakonisht bartin me vete dy lloj çantash, atë për pajisje elektronike (llaptop) dhe atë të materialeve ‘hard copy’. Përveç kësaj hapësira shpeshherë është e zënë në ambientet e universiteteve ose ato shtëpiake sa që e vështirësojnë tejet procesin e punës”, thotë ai.
Kjo ka nxitur një vullnet tek ai për te krijuar “Briefcase Desk”, të cilën Bilalli e sheh si zgjidhje të këtij problemi.
“Kjo ‘Briefcase Desk’ është praktike për t’u bartur në formën e çantës, të shndërrohet në tavolinë të madhe ose të vogël (të shtratit)”, shprehet Bilalli.
Ky çmim ka shërbyer si një motivim që ai te hulumtoj dhe të bëhet pjesë e garave të ndryshme në të ardhmen ngase i ka shërbyer si një përvojë shumë e nevojshme.