28 Nëntor, 2017 - 1:30 pm
“Esenca e ekzistencës”u quajt ekspozita grupore e artistëve nga Maqedonia e cila u hap mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Kosovës, shkruan KultPlus.
Gili Hoxhaj
Kjo ekspozitë kishte zënë hapësirë në shumë dhoma të kësaj galerie, duke prezantuar kështu punën tridhjetë artistëve bashkëkohorë të Maqedonisë të cilët reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj parimeve ekzistencialiste. Sytë e të pranishmeve kapin këndvështrime të ndryshme të artisteve të cilat vijnë përmes medieve të ndryshme që vizualizonin punën e këtyre artistëve. Puna e tyre ishte shprehur me anë të piktura, grafika, skulptura, duke kaluar te instalimet, objektet, fotografitë, e deri te video projektimet, printimet digjitale, performancat dhe audioinstalimet.
“Esenca e ekzistencës” është një koncept artistik i cili u drejtohet sferave të ndryshme të përditshmërisë, të jetës, ekzistencës, perceptimeve të cilat vijnë nga aspekte të ndryshme drejt esencës së qenies, të mbijetesës, të funksionimit. Këtu përfshihen gjeneza e dashurisë, shpirtërores,të ushqyerit kurse nën këtë diskurs zbulohen edhe çështjet e dinjitetit, ideologjisë, politikës, jetës sociale.
Artistët e përzgjedhur që ekspozuan mbrëmë punimet e tyre janë: Ismet Ramiçeviq, Metodi Angellov, Atanas Botev, Vana Urosheviq, Irena Paskali, Aleksandar Stankoski, Velimir Zhernovski, Gjorge Jovanoviq, Marija Sotirovska, Igor Sekovski, Osman Demiri, Sllavica Janeshlieva, OPA, Mihaela Jovanovska, Zero, Nehat Beqiri, Zeni Ballazhi, Zhaneta Vangeli, Dita Starova Qerimi. Ndërsa kuratorët e kësaj ekspozite janë: Ana Frangovska, Gorancho Gjorgjievski, Maja Cankulovska – Mihajlovska.
Drejtoresha e Galerisë Kombëtare, Arta Agani ishte ajo që u uroi mirëseardhje të pranishmëve ku theksoi se ky bashkëpunim mes dy shteteve do të vazhdoi edhe me tutje.
“Kjo ekspozitë besoj se nuk do të jetë i fundit, do të ketë edhe shumë ekspozita të këtij lloji pasi që bashkëpunimi i Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe Galerisë së Republikës së Maqedonisë ka filluar në këtë vit me ekspozitën e artistëve të rinj kosovarë që e patëm në mars në Galerinë Kombëtare në Shkup”, tha Arta Agani gjatë hapjes së kësaj ekspozite.
Sekretari i Ministrisë së Kulturës në Maqedoni, Valmir Aziri tha mbrëmë se ndihet i kënaqur me prezantimin e kësaj ekspozite në Prishtinë, duke hapur kështu një kapitull të ri të bashkëpunimit kulturor mes dy vendeve fqinje.
“Kam kënaqësinë të ju drejtohem sonte jo vetëm për arsyen se kemi para nesh një ekspozitë që sjellë vepra dhe artistë që zgjojnë emocione dhe përjetime të thella artistike. Kënaqësia është shumë më e madhe kur kemi parasysh që me këtë ekspozitë po hapim një kapitull të ri të bashkëpunimit kulturor mes dy vendeve duke lidhur fuqishëm një nga hallkat e bashkëpunimit rajonal të cilit i ka munguar struktura dhe dinamika shpesh herë jo vetëm për shkak të rrethanave objektive, shoqërore e politike të rajonit tonë të trazuar. Është hera e parë në histori që Galeria Kombëtare e Maqedonisë është prezanton në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë”.
Në hapjen e kësaj ekspozite fjalën e mori edhe Zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës në Kosovë, Burbuqe Deva e cila theksoi se Ministria e Kulturës e përkrah fuqishëm këtë bashkëpunim sepse është mënyra më efikase e realizimit të marrëdhënieve ndërkulturore me shtetin fqinj.
“Jam e nderuar që të jemi pjesë e kësaj ekspozite e cila vjen nga Galeria Kombëtare e Maqedonisë. Kënaqësia e madhe është se pasi që një numër i madh i artistëve me forma të ndryshme shprehëse të artit vijnë në Republikën e Kosovës” ishin disa fjalët hyrëse të zëvendësministres Deva.
Drejtoresha e Galerisë Kombëtare në Maqedoni, Dita Starova Qerimi po ashtu falënderoi Galerinë Kombëtare të Kosovës për bashkëpunimin dhe shtoi se dy shtete kështu mund t’i kalojnë kufijtë duke jetuar kështu në një të ardhme me artin bashkëkohor.
Njëra nga kuratoret e kësaj ekspozite, Ana Frangovska tregoi për KultPlus se kjo ekspozitë është shumë e lehtë për t’u kuptuar nga të gjithë pasi që prek disa nga çështjet me të cilat njerëzit përballen çdo ditë.
“Në këtë ekspozitë kemi sjellë disa çështjet më të rëndësishme për tërë regjionin pasi që kjo ekspozitë do të udhëtoj edhe në vende të tjera të rajonit. Kjo ekspozitë prek çështjen e ekzistencës nga pikëvështrime të ndryshme të artistëve, ato nuk sjellin ndonjë çështje të veçantë por problemet dhe gjërat me të cilat ne përballemi çdo ditë, duke prekur edhe çështje politike të cilat lidhen me shtetet që janë në përudhen e tranzicionit dhe të cilat luftojnë çdo ditë më të ardhmen dhe me historinë. Ne në këtë ekspozitë flasim për religjionin, për ushqimin, mjekësinë pra në përgjithësi për gjëra të përgjithshme që janë njohura për njerëzit e këtij regjioni”, shpjegoi Ana Frangovska për KultPlus.
Të gjithë ata që duan të njihen me ekspozitën e veçantë të këtyre artistëve nga Maqedonia, do të mund ta vizitojnë këtë brenda Galerisë Kombëtare të Kosovës deri më 12 Dhjetor të këtij viti. /KultPlus.com