1 Mars, 2023 - 7:00 pm
“Eterna Bellezza”, ekspozita fotografike e cila qëndroi hapur në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar gjatë muajit shkurt, tërhoqi një numër të lartë vizitorësh.
Ekspozita u promovua nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë dhe e sjellë në Tiranë nga Instituti Italian i Kulturës në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar të Tiranës.
Eterna Bellezza (bukuri e përjetshme) erdhi si një riinterpretim i skulpturës neoklasike.
Ekspozita bëri bashkë Mimmo Jodice dhe Antonio Canova, dy artistë italianë të periudhave të ndryshme: një nga skulptorët më të mëdhenj të neoklasicizmit evropian dhe një nga interpretuesit më të mëdhenj të fotografisë bashkëkohore. Kjo lidhje u interpretua si ajo që bashkon idealen dhe realen, trupin dhe shpirtin, materien dhe imazhin.
Mimmo Jodice interpreton 17 skulptura të Canova-s me 51 shkrepje, nga të cilat katër ose pesë kushtuar çdo vepre arti. Ai zgjedh prespektiva dhe këndvështrime duke mbajtur një shkallë 1:1 midis detajeve skulpturore në fokus dhe madhësisë së printimit fotografik.
Nisur nga legjenda se Antonio Canova, kur ua prezantonte punët e përfunduara klientëve të tij, e bënte atë në errësirë dhe vetëm me dritën e një qiri, në të njëjtën mënyrë Jodice përpiqet t’ia kthejë shikuesit këtë pamje nga afër, me një vendosje mjeshtërore të burimeve të dritës dhe një hulumtim të kujdesshëm stilistik./atsh/ KultPlus.com