27 Shkurt, 2022 - 2:30 pm
“Euro Humor” titullohet ekspozita ndërkombëtare e çelur në Galerinë e Artit në Tiranë, ku rreth 60 artistë nga vende të ndryshme të botës kanë paraqitur punimet e tyre në karikaturë.
Kjo ekspozitë vjen e kuruar nga Gianni Martini (Itali) dhe Abaz Hado si dhe me pjesëmarrjen e artistit të famshëm Agim Sulaj dhe në të janë prezantuar rreth 100 punime.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se “ekspozita “Euro Humor” vjen si një rastësi shumë domethënëse, në Galeria e Artit Tiranë, midis artistëve nga vende të ndryshme të botës, paraqiten edhe punime të dy emrave të njohur të artit ukrainas”.
Veliaj ftoi qytetarët ta vizitojnë ekspozitën për t’i zbuluar këto emra të rëndësishëm.
Pjesë e kësaj ekspozite janë dhe disa nga veprat e artistit Agim Sulaj, në karikaturë e vizatime surreale punime që kanë fituar dhe çmime ndërkombëtare. Disa nga veprat e tij janë “Trokitja” “Thashethemet”, “E ardhmja” “Ta pasur e të varfër” etj.
Një sallë me punime në karikaturë në ekspozitën në galerinë GAT i dedikohet artistit të madh Jurij Kosobukin nga Ukraina me një retrospektivë, një homazh kujtimit dhe artit të tij.
Në këtë ekspozitë me punime të ndryshme nuk mungojnë edhe disa punë që janë pjesë e arkivit të shtetit të revistës “Hosteni” dikur, një revistë shqiptare e humorit dhe satirës.
Ekspozita “Euro Humor” u hap në Galerinë e Artit Tiranë në kuadër të Tirana Kryeqytet Evropian i Rinisë./atsh/ KultPlus.com