Fantazia ’98-’21”, ekspozita e veçantë e piktorit të talentuar Dastid Miluka

29 Maj, 2021 - 5:24 pm

Artisti dhe piktori Dastid Miluka vjen me një tjetër ekspozitë të hapur në Tiranë të titulluar, “Fantazia ’98-’21” e cila përmban 17 piktura tejet të veçanta.

Piktori i talentuar Miluka është një artist që ka studiuar në vitet 2000 në Akademinë e Arteve të Bukura në specialitetin e artit figurativ. Pas studimeve për skenografi dhe kostumografi, ai emigroi jashtë Shqipërisë duke ju dedikuar pikturës prej afro 20 vjetësh ku edhe shprehet se kjo i ka sjell një të ardhme më të mirë në Belgjikë, vendi ku ai jeton prej vitesh.

Ekspozita e hapur prej tij këto ditë është e dyta pasi edhe më herët ka qenë prezent në Shqipëri me një tjetër ekspozitë dhe se interesi i njerëzve të cilët e pëlqejnë dhe vlerësojnë punët e tij si piktor, bëri që ai të vinte serish për publikun me këtë ekspozitë të dytë.

Piktori Dastid Miluka rrëfen për ATSH-në të gjithë rrugëtimin e tij si artist dhe për prezencën e tij tek publiku artdashës dhe që janë admirues të pikturave.

“Vërtetë që kam studiuar për kostumografi dhe skenografi, mirëpo piktura gjithmonë ka qenë diçka që më ka bërë mua që të ndihem shumë mirë. Është një rrugëtim interesant në kohë sepse më jep mundësinë edhe mua që të kthehem mbrapa në kohë dhe të zbuloj veten time. Evoluimin ndër vite. Ekspozita e tregon më së miri këtë gjë me 17 punimet që janë në këtë ekspozitë.  Hapësirat e ekspozimit janë të limituara këtu ndaj artistët duhet të gjejnë mundësi alternative siç kam bërë unë në ambientet e kësaj banke dhe ka pasur një interes shumë të madh”, shprehet më tej artisti.

Duke ndaluar në pjesën më të madhe të krijimeve të tij, Miluka na bën edhe një lloj ekspozeje të krijimeve të tij.

“ “Netët mediterane” quhet kjo pikturë e cila tregon shijimin e një nate mediterane dhe e kuqja që unë kam përdorur është paksa e rrezikshme në eksperimentim, por në të njëjtën kohë edhe e suksesshme kur ajo përdoret ashtu siç duhet. Piktura tjetër flet për një elefant i cili është i rrethuar me figura të tjera çka krijon edhe një histori duke ju bashkangjitur figurës së elefantit.  Piktura tjetër është paksa surrealiste sepse bëhet fjalë për figurën e një femre që me frymën e saj bën që të ndodh edhe lundrimi. Ky është edhe titulli që i përshtatet kësaj pikture që është emërtuar në shqip “Lundro Tutje”.  Tregon edhe për fuqinë e saj të mbi natyrshme dhe stilin surrealist të krijimit”.

Duke udhëtuar në kohë nëpërmjet pikturave të artistit ne arrijmë të kuptojmë edhe ndryshimin apo më saktë transformimin që ai ka pasur ndër vite. Ndalojmë tek puna e parë që artisti e ka bërë në periudhën e studimeve ne akademi, ku ai në pikturë përveç bojërave dhe imazheve tipike ka përfshirë edhe materie sikurse është rëra për të krijuar fraksione të ndryshme. Pra martesa e dy teknikave.

“Në pikturën “Histori Dimri” krijohet mundësia që gjithkush mund të krijojë një histori të vetën. Përse jo mund ta konsiderojmë edhe si Adami me Evën moderne shqiptare në një simbol dhe teknik komplet tjetër”, shprehet për ATSH piktori i talentuar.

Artisti na ndalon tek dy nga punët që ai i konsideron ndër më të rëndësishmet pasi në këto piktura ai ka sjell folklorin shqiptar nëpërmjet kostumeve tradicionale shqiptare.

“Kjo është edhe mbyllja e ekspozitës ku me dy vajzat e veshura me kostume tradicionale shqiptare kam sjell figurën e femrës shqiptare bashkë me veshjet, por shoqëruar me elemente dhe simbole të tjera shqiptare. Njëri nga kostumet është marrë nga zona e Brarit në Tiranë e cila më tërhoqi shumë për nga bukuria dhe nuk mund ta lija pa e sjell, madje dua të vazhdoj të punoj ende me këtë kostum dhe këtë pikturë”, tregon Dastid Miluka.

Ai gjithashtu na tregon edhe interesin e madh që ka pasur nga publiku në mënyrë që ti blejnë ato dhe kjo është shumë e rëndësishme sipas tij, pasi artin që ai krijon kërkon ta ndaj me të tjerët duke i parë ato të ekspozuara edhe në ambiente private të njerëzve që i blejnë pikturat e tij.

“Nuk jam aq egoist sa që artin tim ta mbaj vetëm për veten time, atë dua ta ndaj me të tjerët”, shprehet artisti Dastid Miluka për ATSH-në./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme