26 Dhjetor, 2018 - 1:41 pm
Lia Stublla, Albina Dyla, Minna Fashion, Kaonë Duriqi dhe Yllka Brada, janë kretatorët të cilët me anë të dhurimit të kreacioneve të tyre po bëjnë të mundur ‘Javën e Dizajnerëve’ këtë fundvit.
Dyqani i bamirësisë ‘Teshavesha’, program në kuadër të fondacionit ‘Aksioni për Nëna dhe Fëmijë’, organizon ‘Javën e Dizajnerëve’ në Teshavesha në Ferizaj nga data 26 dhjetor deri më 29 dhjetor.
Për herë të pestë radhazi, dizajnerët Kosovarë mblidhen për të dhënë kontributin e tyre për përmirësimin e shëndetit të nënave dhe fëmijëve në vend përmes dhurimit të kreacioneve të tyre për ‘Javën e Dizajnerëve’. Pas ekspozimit të kreacioneve të dizajnerëve në Teshavesha në Ferizaj, këto donacione do të janë në shitje me çmime më të lira për klientët e interesuar.
Fondet nga shitjet e kreacioneve do të financojnë furnizimin e Klinikës së Gjinekologjisë dhe Pediatrisë me medikamente, do të ndihmojnë hapjen dhe zhvillimin e ‘Klasave për Nëna’, si dhe do të ndihmojnë në zhvillimin e transportit neonatal në vend.
Teshavesha është ndërmarrje shoqërore e themeluar nga fondacioni ‘Aksioni për Nëna dhe Fëmijë’ që nga qershori i 2016-ës, ku tashmë operon me dy dyqane në qytetin e Prishtinës dhe në një dyqan në Ferizaj, falë partnerëve dhe klientëve besnik. /KultPlus.com