20 Prill, 2018 - 7:20 pm
Ideatori i monumentit NEWBORN – Fisnik Ismaili, sot ka reaguar me anë të një komunikate për media për dëshirën e disa personave që NEWBORN të kalojë në Arbëri dhe të duket sikur shenja e njohur HOLLYWOOD.
Ismaili ka treguar arsyet pse një gjë e tillë nuk ka kuptim të ndodhë sidomos me NEWBORN.
Po e sjellim këtu reagimin e Fisnik Ismailit:
Propozime të ngjashme për vendosjen e NEWBORN në Arbëri që të duket si HOLLYWOOD ka pasë shumë gjatë 10 viteve të fundit.
Arsyeja kryesore se pse monumenti NEWBORN nuk mundet në asnjë mënyrë me u dukë sikur HOLLYWOOD është madhësia. Derisa ky në Prishtinë është 3m i lartë dhe 25m i gjerë, ai në Los Angeles është 14m i lartë dhe 105m i gjerë, përderisa kodrinat në të dy qytetet janë përafërsisht të njajta përnga madhësia. Për më tepër, kodrina në Los Angeles nuk e ka asnjë ndërtim afër shenjës, që e bën atë të theksohet edhe më shumë nga ambienti i hapur.
Për këtë arsye, NEWBORN kishte me u dukë si një reklamë dyqani, shumë i vogël, nga distanca. Për më tepër, ndërtimi i shenjës HOLLYWOOD ka pasë kosto prej 2,2 milionë dollarësh, është konstruksion masiv dhe nuk është 3-dimensional, që e dallon si fizikisht, si konceptualisht, nga monumenti në qytetin tonë.
Arsyeja tjetër është konceptuale: Derisa HOLLYWOOD është ndërtuar qëllimisht që të fotografohet nga larg, NEWBORN është objekt që vizitohet nga afër, preket dhe shkruhet në të. Pra, qëllimet për të cilat këto janë ndërtuar dallojnë, pavarësisht se të dyjat janë skulptura tipografike (skulptura shkronjash). Ndryshimi i konceptit të NEWBORN kish me e ndryshue edhe qëllimin edhe vetë natyrën e monumentit,
Arsye tjera pse nuk është ide e mirë të zhvendoset monumenti janë:
– NEWBORN është nën kompetencat e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve, i cili tashmë ia ka dedikuar hapësirën në qytet këtij monumenti.
– Lokacioni ku gjindet monumenti tash 10 vjet tashmë identifikohet si lokacion, pikëtakim dhe pika më e vizituar turistike, që kishte me e humbë këtë efekt po u zhvendos diku larg vizitorëve.
– IKMM dhe Komuna e Prishtinës tashmë e kanë miratuar ndërtimin e një bazamenti të monumentit në hapësirën aktuale.
– Ngjyrosja e NEWBORN nuk kishte me pasë më kuptim, ngase detajet e monumentit nuk ishin parë nga distanca.
– Qëllimi edhe natyra e skulpturës kishin me ndryshue krejtësisht.
– Si njëri prej monumentrve më me rëndësi në kryeqytet NEWBORN-it i takon një lokacion si ky aktuali, në qendër të Prishtinës
Ideja për ta bërë një instalacion artistik në majën e shkallëve të Arbërisë është shumë e mirë, edhe ju inkurajoj që të bëni një të tillë, por nuk mendoj se NEWBORN përkon të qëndrojë aty, për arsyet e lartëcekura.
Për koincidencë, jam në New York këto ditë dhe dje e vizitiva skulpturën tipografike “Love” nga skulptori Roberts Indiana, e cila gjindet në mes të rrugës, me dimensionet 3.79 m x 3.79m (shihni foton e bashkëngjitur të cilën e bëra dje).