15 Mars, 2024 - 12:25 pm
Shtëpia e Evropës në Prishtinë sot merr një pamje të re me ekspozitën “Reagimi i përsosur” të artistit Fitim Haziri, shkruan KultPlus.
Me vizatime me ngjyrë të kaltër, laps dhe të zezë në letër, Fitim Haziri portretizon silueta njerëzore, raportin e tyre me njerëzit, hapësirat dhe mendjen.
Në ekspozitën “Reagimi i përsosur”, përpjekjet skulpturore të artistit ndërthuren me thelbin të cilin e paraqet në vizatime, duke krijuar një eksplorim të thellë të përmbajtjes dhe teknikës. Përdorimi i nuancave të kaltërta me ndërveprimin strategjik të dritës është përcaktues i ndikimit të këtyre punëve. E karakterizuar si një kërkim i vetvetes, ekspozita ”Reagimi i përsosur” shpaloset përmes siluetave ndjellëse të figurave njerëzore dhe, herë pas here, përmes gjuhës, duke lënë një gjurmë të pashlyeshme – duke formuar një rrëfim sa personal aq edhe kolektiv.
Fija e përbashkët në mediume të ndryshme e natyrës instinktive të vizatimit, qoftë në letër, në mënyrë dixhitale ose me ngjyrë, përdorimi i qëllimshëm i një ose dy ngjyrave në imazhe simbolizojnë konvergjencën e trupit dhe mendjes, duke i dhënë një cilësi të qetë portretizimit të siluetave njerëzore. Pjesa qendrore e ekspozitës, “Reagimi i përsosur”, zhytë shikuesit në një ndërveprim dinamik midis trupit dhe mendjes. Figurat njerëzore, të përshkruara në forma dhe pozicione të ndryshme, shfaqen si pika qendrore, duke lënë një energji të pashlyeshme të perceptuar në nuancat e kaltërta – një simbol i lirisë së pakufishme dhe këndvështrimeve të pafundme.
Teknika e Hazirit shpalos natyrën e brendshme të vizatimit, duke kapur elementë të mbetur që pësojnë një transformim vizual. Ngjyrat monokromatike bëhen një vegël e qëllimshme. Ekspozita kalon në fushën e skulpturës, duke paraqitur një rrëfim vizual të procesit, që e pozicionon shikuesin si një pjesëmarrës aktiv. Kjo përmbledh përvojën e kapërcimit të realitetit, duke kultivuar një vetëdije akute të realitetit që ne jetojmë sot, duke i ftuar shikuesit t’i rezistojnë mbikonsumimit të sugjerimeve algoritmike dhe në vend të kësaj të zhyten në aktin e përjetimit, duke lejuar lojën e dritës të artikulojë narrativen e saj.
Ekspozita e cila vjen e kuruar nga Laureta Hajrullahu dhe Shkamb Jaka, hapet sot, më datë 15 mars, në ora 19:00 në Europe House Kosovo. / KultPlus.com